Ministria e Jashtme reagon ndaj Berishës: S’ka pasur presion mbi ODIHR, vetëm sqarime

Politikë | 1 vit më parë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili pretendon se Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, ka dërguar një letër me presion ndaj vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit 2025.

Nëpërmjet një deklarate zyrtare, MEPJ ka hedhur poshtë pretendimet e Berishës, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje apo presion ndaj misionit të vëzhguesve.

Sipas ministrisë, dërgimi i sqarimeve dhe kontekstit shtesë mbi gjetjet e raportit paraprak të ODIHR-it është një praktikë standarde në çdo proces zgjedhor.

“Sqarimet janë dërguar për t’u konsideruar në përpilimin e raportit përfundimtar, bazuar në fakte dhe prova. Marrja në konsideratë e tyre është në diskrecion të plotë të Misionit të ODIHR-it”, thuhet në reagimin e MEPJ-së.

Ministria gjithashtu kujtoi se edhe vetë ODIHR ka deklaruar më herët se nuk është ndjerë nën presion dhe se nuk ka pasur përpjekje për të ndikuar punën e tyre. MEPJ thekson se mbetet e angazhuar për të respektuar në çdo kohë pavarësinë dhe integritetin e mekanizmave ndërkombëtarë të vëzhgimit zgjedhor.

Reagimi i MEPJ-së vjen pasi Berisha publikoi letrën e ministrit Hasani, duke e cilësuar atë si “presion të drejtpërdrejtë” me synimin për të ndryshuar përmbajtjen e raportit të zgjedhjeve të 11 majit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme