Ministria e Mbrojtjes: Situata e zjarreve e përmirësuar, pa rrezik për zonat e banuara

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme situata e zjarreve në të gjithë territorin paraqitet e përmirësuar dhe pa rrezik për zonat e banuara.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë raportuar gjithsej 26 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive, 6 janë nën mbikëqyrje dhe 14 janë shuar plotësisht.
Në operacionet e ditës janë angazhuar 311 forca operacionale dhe 16 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur këto operacione me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës, 1 ekskavator të rëndë dhe 3 helikopterë.
Në Pukë, situata në zonën e Tërbunit–Gojanit–Gjegjanit është përmirësuar ndjeshëm. Zjarri është shuar plotësisht në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh, ndërsa vatër në Prozhëm vijon me intensitet shumë të ulët dhe është drejt shuarjes.
Në operacion kanë qenë të angazhuar forca të MZSH-së, shërbimit pyjor, strukturave vendore, vullnetarë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetje nga toka dhe ajri.
Në Gojdan, Fushë-Arrëz, vijon puna për izolimin dhe shuarjen e një vatre në sipërfaqe pyjore. Në këtë operacion janë angazhuar struktura vendore, MZSH-ja, Policia, vullnetarë dhe 1 helikopter i Forcave të Armatosura. Nuk ka rrezik për banesat.
Në Dajt, vatrat vijojnë aktive në terren të vështirë, por pa rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 30 zjarrfikës, të mbështetur edhe nga 1 helikopter i FA-së.Vatra aktive raportohen gjithashtu në Ballenjë dhe Qafën e Helmës në Dibër, si dhe në malin e Luzatit në Tepelenë.
Një sërë vatrash të tjera në Lezhë, Elbasan dhe Vlorë janë shuar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



