Ministrja Pirdeni: Projektbuxheti 2026 sjell rritje pagash dhe indeksim për sektorin publik
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, gjatë fjalës së saj në Kuvend, prezantoi elementët kryesorë të projektbuxhetit për vitin 2026, duke theksuar angazhimin e qeverisë për përmirësimin e kushteve financiare të punonjësve të sektorit publik.
Sipas Ministres Pirdeni, projektligji parashikon rritje pagash për disa kategori kyçe, përfshirë mjekët, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe specialistët e administratës publike.
Ajo nënvizoi se për këto kategori do të aplikohet edhe llogaritja e vjetërsisë në punë, si pjesë e politikës së shpërblimit.
“Me projektbuxhetin e vitit 2026, qeveria parashikon indeksimin e pagave dhe rritjen e pagës minimale me 10 mijë lekë – nga 40 mijë në 50 mijë lekë. Kjo përkthehet në një rritje prej 25% për një kategori të konsiderueshme të punonjësve me paga më të ulëta,” – deklaroi Pirdeni.
Nga kjo rritje do të përfitojnë punonjësit e shërbimeve publike, ndërsa për specialistët e administratës është parashikuar një shtesë prej 5 mijë lekësh në muaj.
“Me projektbuxhetin e 2026 qeveria parashikon indeksimin e pagave dhe indeksimin e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë që përkthehet në një rritje 25 % për një kategori të konsiderueshme të punonjësve të administratës me paga aktualisht më të ulëta. Konkretisht do të përfitojnë punonjës të shërbimit publik, do të përfitojnë nga rrija e pagës minimale, për specialistët e administratës rritja do jetë 5 mijë lekë të reja, në shëndetësi do të filloi edhe llogaritja e vjetërsisë në punë.”
Në sektorin e shëndetësisë, përveç rritjes, do të nisë edhe llogaritja e vjetërsisë në pagë, një praktikë që do të aplikohet edhe për punonjësit e policisë, me një shtesë prej 5 mijë lekësh në muaj.
“Për mjekët në spitale, po ashtu një rritje do të ketë edhe për punonjësit të policisë së shteti ku përveç indeksimit do të ketë edhe një llogaritje për vjetërsinë në punë me 5 mijë lekë të reja në muaj. Puna më e rëndësishme gjatë këtyre viteve, ka qenë rishikimi i ligjit për nënpunësin civil dhe ai për administratën shtetërore që janë për konsultim publik, procesi i ndërhyrjes në to është bërë me një analizë të thelluar. Në ligjin për administratën shtetërore konsultimi publik tashmë ka përfunduar’
Ministrja Pirdeni theksoi gjithashtu se një nga punët më të rëndësishme të viteve të fundit ka qenë rishikimi i dy ligjeve bazë për administratën publike, ligji “Për Nëpunësin Civil” dhe ligji “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.
Ajo bëri të ditur se procesi është zhvilluar me analizë të thelluar dhe konsultim publik, ku për ligjin e administratës shtetërore konsultimi tashmë ka përfunduar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




