Ministrja Spiropali në Izrael, vizitë në Festivalin Nova në nderim të viktimave të masakrës së 7 tetorit: Shqipëria kërkon paqe dhe lirimin e pengjeve

Politikë | 1 vit më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka nisur vizitën e saj të parë zyrtare në Izrael, një vizitë që mori një drejtim thellësisht simbolik dhe humanitar që në fillim.

Ministrja zgjodhi të niste agjendën e saj me një ndalesë emocionuese në vend ndodhjen e Festivalit Nova, për të nderuar kujtimin e viktimave të masakrës së 7 tetorit 2023.

Sulmi terrorist i Hamasit, i cili u mori jetën mbi 1200 civilëve dhe la qindra të tjerë të plagosur apo pengje, ka lënë një plagë të thellë në kujtesën e botës.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Ministrja Spiropali theksoi qëndrimet e qarta të Tiranës.

“Kthimi i të gjitha pengjeve në shtëpi do të ishte një hap vendimtar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor,” deklaroi Ministrja Spiropali, duke i dhënë prioritet çështjes humanitare.

Më tej, kreu i diplomacisë shqiptare nuk kurseu mbështetjen për një zgjidhje politike afatgjatë: “Shqipëria mbështet marrëveshjen e paqes, arritur së fundmi me ndërmjetësimin e Presidentit Trump si e vetmja mënyrë për stabilitet në Lindjen e Mesme dhe bashkëjetesën në siguri e dinjitet për të dy popujt.”

Vizita e Ministres Spiropali në Izrael nënvizon marrëdhëniet e forta dypalëshe.

Pikat kyçe të vizitës

  • Vizitë në vendodhjen e Festivalit Nova për të nderuar viktimat e 7 Tetorit.
  • Kthimi i menjëhershëm i të gjitha pengjeve si akt mbrojtjeje të dinjitetit njerëzor.
  • Mbështetja për një marrëveshje paqeje si e vetmja rrugë për stabilitet afatgjatë dhe bashkëjetesë.
  • Vizita e parë zyrtare e Ministres Spiropali në Izrael.
  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme