Ministrja Spiropali në Kopenhagen gjen mbështetje në parlamentin danez për integrimin

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë zyrtare në Danimarkë, ku theksoi se Shqipëria po punon për të avancuar agjendën e saj të integrimit evropian duke aplikuar parimet e Bashkimit Evropian përpara anëtarësimit.
Gjatë takimit me Komitetin për Punët e Jashtme të Parlamentit Danez, drejtuar nga Christian Friis Bach, Spiropali raportoi se ka gjetur mbështetje të gjerë pavarësisht vijave politike.
“Gjetëm mbështetje për Shqipërinë pavarësisht dallimeve politike, si vendi që nuk pret anëtarësimin për të vepruar si anëtar i BE-së, por sillet e kontribuon për parimet, vlerat dhe stabilitetin e Unionit njësoj si të ishte pjesë e tij,” deklaroi Spiropali.
Vizita e Ministres Spiropali në Mbretërinë e Danimarkës synon thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e agjendës pro-evropiane të Tiranës.
Më herët, ajo zhvilloi një takim me Ministren për Europën, Marie Bjerre, ku diskutuan hapat konkretë për avancimin e mëtejshëm të perspektivës së Shqipërisë në BE. Pas këtij takimi, Spiropali u takua me Ministrin e Jashtëm dhe ish-kryeministrin, Lars Løkke Rasmussen, ku fokus kryesor ishte bashkëpunimi dypalësh, veçanërisht në kontekstin e Presidencës daneze të radhës së BE-së.
Vizita zyrtare në Danimarkë dëshmon për angazhimin e Shqipërisë për të forcuar lidhjet me vendet anëtare të BE-së në rrugën e saj drejt anëtarësimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.













