“Mirëmëngjesi Shqipëri” avokatja Dallashi: 700 familje shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar drejt deportimit

Aktualitet | 12 muaj më parë

Deklaratat e fundit të Sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, kanë shkaktuar shqetësim të madh te komuniteti shqiptar në Angli. Mahmood përmendi “rreth 700 familje shqiptare” që aktualisht jetojnë në strehim të financuar nga taksapaguesit britanikë, pavarësisht se kërkesat e tyre për azil janë refuzuar, duke argumentuar se kjo është një arsye e fortë për rifillimin e procesit të kthimit të familjeve emigrante.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH1, avokatja e emigracionit në Londër, Daniela Dallashi, tha se këto propozime të reja politike kanë krijuar një ndjenjë të thellë pasigurie ndër shqiptarët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas avokates, rreth 700 familje shqiptare gjenden në një situatë të paqartë: azili u është refuzuar, por nuk mund të deportohen për shkak se kanë fëmijë të mitur. Megjithatë, autoritetet britanike po shqyrtojnë rishikimin e Aktit të Emigracionit për të mundësuar kthimin e tyre.

“Së pari do thoja që këto ndryshime politike që janë planifikuar se do të ndodhin ka shkaktuar një ndjesi shumë të pasigurie tek komuniteti shqiptar në Angli. Kjo paketë që synonin reformimin e sistemit të azilit dhe kthimin e azil kërkuesve me çështje të refuzuara është nga me të rëndat dhe besoj se do vij një moment konsultimesh por nuk do të vonoj koha që do të vihet në fuqi dhe ndryshimet normalisht që prekin kryesisht shqiptarët. Siç është thënë dhe nga ministra e brendshme janë rreth 700 familje që i është refuzuar azili por nuk mund të kthehen dot sepse kanë fëmijë të mitur por po parashikojnë dhe një rishqyrtim të aktit të emigracionit për të bërë ndryshimet e nevojshme që të kthehen sepse siç është thënë dhe më parë Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt për të jetuar”, u shpreh avokatja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme