Mjafton një autogol, Tirana mbijeton në “Abissnet Superiore”

Tirana ka arritur të sigurojë qëndrimin në “Abissnet Superiore” pas fitores 1-0 të arritur në ndeshjen play-out përballë Pogradecit, luajtur në “Elbasan Arena” dhe që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH 2.
Në pjesën e parë, bardheblutë panë të anulohej një gol, ndërsa pogradecarët krijuan disa mundësi përpara portës së mbrojtur nga Selmani. Në pjesën e dytë, Tirana krijoi më shumë volum loje, por rastet te porta e liqenorëve, të vendosur me forca të shumta në mbrojtje, munguan.
Përpjekjet e bardhebluve u shpërblyen në minutën e 90-të nga një autogol i Hysenllarit. Një goditje me kokë pa shumë pretendime e Jarmouni, është devijuar nga futbollisti i Pogradecit në drejtim të portës duke zhbllokuar sfidën.
Në fundin e takimit nuk munguan dhe momentet e tensionit, Ndreca për bardheblutë dhe Raza për liqenorët u ndëshkuan me karton të kuq.
Është mbyllur me fitoren 1-0 të Tiranës, që siguron qëndrimin në “Abissnet Superiore”, ndërsa Pogradeci duhet të niset edhe njëherë nga Kategoria e Parë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




