Mjete të reja për pastrimin në Kukës, BE dhuron dy mjete për përpunimin e mbetjeve të gjelbra

Aktualitet | 4 muaj më parë

Mbetjet e gjelbra, që vinin nga pastrimi i kopshteve dhe kryesisht nga krasitja apo dëmtimi i kurorës së gjelbër të qytetit, tashmë do të riciklohen përmes procesit të frezimit dhe kompostimit të tyre. Valdet Cenaj, përgjegjës i sektorit të pastrimit në Bashkinë e Kukësit, tha se këto pajisje e kanë lehtësuar punën dhe zgjidhur njërin prej problemeve shqetësuese të këtij sektori.

“Shërbimit të pastrimit të Bashkisë Kukës i janë shtuar dy pajisje të reja: një makineri për copëzimin e mbetjeve të gjelbërta dhe të kopshtit, si edhe një traktor që ndihmon në sistemimin e kavaletave dhe procesin e kompostimit. Këto pajisje mundësojnë kthimin e mbetjeve në humus, duke u shndërruar në pleh organik dhe duke kontribuar në një mjedis më të pastër e më të qëndrueshëm.”

Bashkia e Kukësit ka siguruar edhe dy mjete të reja në funksion të këtij procesi falë mbështetjes përmes projekteve të BE-së dhe GIZ-it gjerman. Mbetjet e gjelbra do të grumbullohen dhe kompostohen në venddepozitimin e dedikuar për këtë qëllim pranë varrezave të qytetit, aty ku është instaluar edhe makineria frezuese.

“Ka shumë punë për sensibilizim. Ne presim që kjo punë dhe ky përkushtim të na kthehet sadopak në bashkëpunim, në mënyrë që ambienti dhe hapësirat ku qytetarët jetojnë të jenë sa më të pastra.”

Problem shqetësues mbetet ndërgjegjësimi qytetar, i cili në shumë raste lë për të dëshiruar për shkak të hedhjes pa kriter dhe jashtë vendeve të dedikuara të mbetjeve urbane, mbetjeve të kopshtit dhe inerteve. Në këtë rast bashkia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve. Ndërkohë sektori i pastrimit ka nisur punën në terren për të reduktuar degët e disa pemëve që kanë nevojë për këtë proces, si dhe në disa hapësira ku janë krijuar masive me shkurre që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme