“Mos e prek kalin se është i acaruar sot”, zbardhet deklarata e autorit të vrasjes së 42-vjeçarit në Berat

Aktualitet | 1 vit më parë

“Mos e prek kalin se është i acaruar sot”, ka qenë kjo fraza e përdorur nga Kristo Mema, autori i vrasjes së Keli Hoxhës ditën e djeshme në Kalanë e Beratit.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se autori i ngjarjes, 63-vjeçari Kristo Mema (alias Kastriot Hoxha), pasi ka parë shtetasin Keli Hoxha që preku me dorë kalin i ka thënë që mos ta prekte më, pasi kali, sipas tij, nuk ishte mirë dhe ishte i acaruar.

Autori i ngjarjes ka dëshmuar në polici se pasi i ka thënë këtë frazë viktimës, ky i fundit e ka ofenduar. Autori ka rrëfyer më tej se pas ofendimeve, në gjaknxehtësi e sipër, ka nxjerrë thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka qëlluar me thikë.

Më pas, ai deklaron së ka shkuar në banesë, ka lidhur kalin në kasolle, ka marrë disa ushqime dhe është fshehur më pas në një nga shpellat e kalasë, për ti shpëtuar policisë.

Nga ana e tyre, familjarët e viktimës, kanë deklaruar në polici se sherri filloi vetëm pse viktima i kishte prekur kalin me dorë. Ata kanë deklaruar se familjari i tyre nuk e ka sharë dhe as ofenduar, por pronari i kalit e ka qëlluar me thikë papritur, pasi i kishte thënë “mos e prek kalin” dhe viktima i ishte përgjigjur “s’ka asgjë të keqe”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme