Moska thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj rusëve, BE kërkon kompromis mes vendeve për zgjatjen e masave ndaj Rusisë

Botë | 36 minuta më parë

Duke i cilësuar të paligjshme, Kremlini tha të martën duhet të hiqen sanksionet perëndimore ndaj të gjithë biznesmenëve dhe qytetarëve rusë. “Masat duhet të hiqen ndaj Usmanov, Fridman dhe të gjithë biznesmenëve e qytetarëve rusë” – tha zëdhënësi Dmitry Peskov.

Ndërkaq, vendet e BE-së rifilluan të martën përpjekjet për një marrëveshje mbi zgjatjen e sanksioneve ndaj Rusisë, pasi blloku 27 anëtarësh dukej i vendosur të hiqte nga lista e zezë dy oligarkët rusë pas kërkesave nga Franca, Luksemburgu dhe Sllovakia. Por orët e fundit marrëveshja hasi pengesa, pasi Letonia doli kundër dhe i gjithë procesi i rinovimit të sanksioneve ndaj Rusisë tashmë është në dyshim, ndërsa afati përfundon në mesnatë.

“Qëndrimi i qeverisë letoneze është i palëkundur. Sanksionet e BE-së kundër Rusisë duhet të forcohen, jo dobësohen”- deklaroi ministrja e Jashtme Baiba Braze. Ukraina dhe disa vende të BE-së, përfshirë Poloninë dhe shtetet baltike, argumentuan me forcë kundër lehtësimit të sanksioneve. “Heqja e dy biznesmenëve rusë nga lista e zezë është e papranueshme dhe do t’i dërgojë sinjal të gabuar Moskës në një kohë kur presioni ndaj atij vendi duhet të rritet”- tha ministri i Jashtëm i Ukrainës Andriy Sybiga.

Masa e propozuar nga tre vendet ishte pjesë e një kompromisi për të zgjatur sanksionet për tre vite të tjera ndaj pothuajse 3 mijë individëve dhe subjekteve të tjera ruse të lidhura me luftën në Ukrainë. Manjati i metaleve Usmanov dhe ai bankar Fridman iu shtuan listës së zezë menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022, pasi u akuzuan se bizneset e tyre i siguronin Kremlinit të ardhura të konsiderueshme për luftën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme