Mot i Keq në Kurbin, deputetët e PD-së: Qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit

Deputetët e Partisë Demokratike, Gjin Gjoni dhe Kastriot Piroli, inspektuan sot situatën e krijuar nga moti i keq dhe përmbytjet në zonën e Kurbinit, duke konstatuar dhe denoncuar, sipas tyre, një “mungesë të plotë vëmendjeje” nga ana e autoriteteve vendore dhe qendrore.
Gjatë takimeve me banorët, deputetët u shprehën se problematikat e përsëritura ndër vite nuk janë adresuar me ndërhyrjet e nevojshme parandaluese, duke bërë që dëmet nga reshjet të jenë çdo herë e më të mëdha.
Një nga çështjet më shqetësuese të evidentuara nga inspektimi ishte fakti se ende ka familje të mbetura të pastreha që prej tërmetit të vitit 2019.
Sipas deputetëve të PD-së, shumë prej këtyre familjeve vijojnë të jetojnë në kushte të rënda, në banesa të rrënuara, ku çdo reshje shiu paraqet një rrezik të përditshëm.
Deputeti Gjin Gjoni shfrytëzoi rastin për të kritikuar edhe propozimin e fundit qeveritar për buxhetin. Ai e cilësoi të papranueshëm propozimin për uljen e buxhetit të bujqësisë nga 5% në 2.5% të shpenzimeve publike.
Sipas Gjonit, kjo është një goditje për një sektor kyç që siguron jetesën e mijëra familjeve në zonat rurale, të cilat janë ndër më të prekurat nga moti i keq.
Në përfundim të inspektimit, deputetët e Partisë Demokratike i bënë thirrje pushtetit vendor dhe atij qendror të ndërhyjnë me urgjencë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga përmbytjet, duke adresuar problemet me seriozitetin e duhur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




