Reshjet shkaktojnë dëme në Shkodër, përmbytje banesash në Vaun e Dejës, del nga shtrati përroi “Glina”

Aktualitet | 1 vit më parë

Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin këtë të diel (26 tetor), kanë shkaktuar problematika të shumta në qarkun e Shkodrës, ku situata më e rënduar paraqitet në bashkinë Vau i Dejës. Dalja e përroit Glinë nga shtrati solli bllokimin e unazës së qytetit të Vaut Dejës si dhe përmbytjen e dhjetëra banesave dhe bizneseve.

Kreu i bashkisë Vau Dejës, Kristjan Shkreli flet për dëme të konsiderueshme ndërsa pohon se shkak është bërë mos rehabilitimi në kohë i përroit të Glinës. 

“Deri tani janë rreth 100 shtëpi që kanë prezencë uji, dëmet janë shumë të mëdha. Problemi kryesor është përroi i Glinës”, tha Shkreli.

Një nga sipërmarrësit në zonë thotë se shiu i ka shkaktuar dëme të mëdha, me kosheret e bletëve apo në stallën e derrave.

“Vetëm bletë më ka marrë 52 koshere, 15 derra. E mira është që shteti të na ndihmojë”, u shpreh Gjon Dodani.

Situata është e vështirë edhe në fshatrat e tjerë të bashkisë Vau Dejës, si në Bushat dhe Hajmel. Si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet të lartë nga rreth 150 mm në 24 orët e fundit, deri tani nuk janë konstatuar probleme në kanalet kryesore të kullimit, në argjinaturat mbrojtëse apo në digën e rezervuarit në Shkodër.

Në bashkitë e tjera të qarkut probleme ka në rrugët dytësore për shkak të rënieve të gurëve dhe inerteve në bashkitë malësi e madhe, në zonën e gurit të zi, dhe në bashkitë Pukë dhe Fushë Arrëz.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme