Mulliri që sfidon kohën, Moreno Allamani, mësuesi që ruan traditën familjare

Sociale | 4 muaj më parë

Në një kohë kur zanatet tradicionale po zbehen nga viti në vit, në Këlcyrë vazhdon të dëgjohet tingulli i një mulliri që prej brezash ka mbajtur gjallë një histori familjare. Moreno Allamani, 33 vjeç, me profesion në arsim, gjen çdo ditë kohë për t’iu përkushtuar mullirit të trashëguar nga të parët.

Për të, puna në mulli nuk është thjesht një angazhim i përditshëm, por një pasion dhe një përgjegjësi për të ruajtur një traditë që është përcjellë nga babai, gjyshi dhe stërgjyshi.

“Unë e kam filluar punën te mulliri që në klasë të pestë, kur babai mundohej të na ingranonte këtu, të na mësonte se si fillon larja e gruri, të gjitha proceset për të dalë buka që vete në sofrat e njerëzve. Unë jam me profesion mësues. Përveç gjatë kohës që jam në arsim, pasdite vij dhe i ndihmoj. Tani në behar që është fushata e korrjeve jam këtu”, tregon ai.

Për Morenon, puna është nder, ndërsa çdo zanat meriton respekt. Ai u bën thirrje të rinjve të vlerësojnë profesionet tradicionale dhe të mos heqin dorë nga trashëgimia që kanë lënë brezat para tyre.

“Në një lloj forme është një lloj detyrimi në thonjëza sepse po nuk punove është e pamundur të jetosh. Unë nuk dua të lëviz nga vendi im. Po të duash të punosh ka mundësi”, shprehet ai.

Edhe pse ka zgjedhur arsimin si profesion, Moreno nuk e imagjinon jetën larg mullirit. Për të, tingujt e tij nuk janë vetëm zhurma e punës, por jehona e një historie familjare që vazhdon të jetojë dhe të përcillet brez pas brezi.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme