Mungesë besimi dhe dallime për luftën, Netanyahu shkarkon ministrin e mbrojtjes Gallant zëvendësohet nga Katz

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shkarkuar Ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant për shkak të, siç tha ai, “dallimeve të shumta ndërmjet tyre” rreth menaxhimit të operacioneve ushtarake të Tel Avivit. “Midis luftës, më shumë se kurrë, nevojitet besim i plotë mes kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes”, tha Netanyahu.
“Fatkeqësisht, megjithëse në muajt e parë të fushatës kishte besim të tillë dhe punë shumë të frytshme, gjatë muajve të fundit, ky besim, mes meje dhe ministrit të Mbrojtjes, u thye”, shtoi ai, duke njoftuar se detyrën e Gallant ia kishte kaluar Ministrit të Jashtëm, Israel Katz.
Ndërsa Katz u zëvendësua nga Gideon Saar. Në ditët e para të luftës, udhëheqësit e Izraelit paraqitën një front të bashkuar duke iu përgjigjur sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi grupi i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Por, derisa lufta vazhdoi dhe u përhap edhe në Liban, në sipërfaqe dolën dallimet e mëdha politike mes tyre. Teksa Netanyahu ka bërë thirrje për vazhdimin e luftës kundër Hamasit, Gallant ka ndjekur një qasje më pragmatike, duke thënë se ushtria ka krijuar kushtet e nevojshme për një marrëveshje diplomatike që mund të sjellë lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza. Ministri Gallant reagoi në platformën X duke thënë se “siguria e Izraelit ishte dhe do të jetë gjithmonë misioni i jetës së tij.” Netanyahu dhe Gallant kanë pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme gjatë luftës mbi njëvjeçare në Rripin e Gazës.
Por, Netanyahu e kishte shmangur shkarkimin e tij. Një përpjekje e tij për ta shkarkuar Gallantin në mars 2023 nxiti protesta të mëdha kundër Netanyahut. Ai gjithashtu e kishte menduar ta shkarkonte Gallantin gjatë verës, por u përmbajt deri të martën vonë. Netanyahu ka një histori të gjatë të heqjes qafe të rivalëve të tij. Në komunikatën e tij, ai pretendoi se kishte bërë “shumë përpjekje” për t’i tejkaluar mospajtimet me Gallantin. “Por, ato vetëm sa thelloheshin”, tha ai.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



