Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” – Qelitë origjinale të paraburgimit, pika më tërheqëse për vizitorët

Aktualitet | 1 vit më parë

Sezoni veror ka sjellë shtim të fluksit të vizitorëve në të gjithë muzetë e qytetit të Shkodrës.

Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës është një ndër më te vizituarit nga turistët e huaj, pasi për shumë prej tyre ky muze dëshmon detaje për të cilat kanë dëgjuar dhe lexuar, por jo përjetuar në vendet e tyre.

“Më shumë na prekën dhomat ku mbaheshin të burgosur njerëzit, të privuar nga liria dhe sidomos salla e torturave. Na tronditi, sepse është e paimagjinueshme që ligësia e njeriut të mund të arrijë kaq thellë në mizori. Nëse sot ky popull gëzon liri, kjo është sepse pati njerëz që e përgatitën dhe e fituan këtë liri duke e paguar me jetën e tyre,” thotë një turist.

Sipas punonjësve të muzeut, gjeografia e vizitorëve këtë vit duket më e zgjeruar. Ndërkohë vërehet një shtim i interesit edhe nga emigrantët e kthyer për pushime për të sjellë fëmijët e tyre.

“Në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës është shënuar gjithmonë me fillimin e sezonit turistik edhe një numër i lartë vizitorësh, të cilët vijnë nga rajone të ndryshme, jo vetëm të Europës, por sigurisht edhe të botës. Nuk mungojnë as turistët vendas dhe emigrantët shqiptarë, të cilët gjatë verës vijnë me familjet e tyre,” tregon Xherardo Nikjari, specialist pranë muzeut VDK.

Brenda 6 muajve të parë të këtij viti, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër është vizituar nga afro tre mijë vizitorë vendas dhe të huaj.

Ky muze është i pari vend i kujtesës historike në Shqipëri, i cili përkujton viktimat që vuajtën dënimin në burgjet e regjimit komunist.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme