Muzeu Arkeologjik i Durrësit – Investim europian, sjell hapësira moderne e rrit cilësinë për vizitorët
Pas një investimi të mbështetur nga Bashkimi Europian, Muzeu Arkeologjik i Durrësit vjen i transformuar me hapësira moderne dhe funksione të reja për vizitorët.
Drejtori i Qendrës Muzeore, Alban Ramohitaj, thotë se rikonstruksioni ka sjellë riorganizim të plotë të ambienteve, duke e kthyer muzeun në një hapësirë bashkëkohore ekspozimi dhe edukimi.
“Kemi një muze krejtësisht ndryshe, krejtësisht të ri dhe me një linjë muzeore të re dhe me shumë risi të tjera. Pas 41 vjetësh kemi sjellë në Durrës ‘Bukuroshen e Durrësit’, e cila tashmë është pjesë e linjës muzeore dhe vizueshmërisë së Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Tashmë kemi një muze që më parë ka qenë vetëm në një kat, ndërsa tani i kemi të dy katet të vizitueshëm me objekte dhe artifakte që fillojnë nga ajo më e hershmja deri në mesjetën e vonshme,” u shpreh Ramohitaj.
Një nga risitë është këndi “Arkeologu i vogël”, i dedikuar për fëmijët.
Gjithashtu janë krijuar ambiente për ekspozita të përkohshme dhe aktivitete kulturore, ndërsa shtimi i stafit synon të rrisë cilësinë e shërbimit.
Me këto risi, muzeu synon të tërheqë më shumë vizitorë dhe të forcojë turizmin kulturor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




