Muzeu i Minatorëve në Memaliaj, pikë referimi për vizitorët, pasqyron trashëgiminë industriale dhe historike të zonës
Muzeu i Minatorëve në Memaliaj, modest në përmasa, por i pasur në përmbajtje, po kthehet në një pikë referimi kulturore për vizitorët që zgjedhin të njihen më nga afër me historinë e zonës.
Muzeu i Memaliajt ruan dhe pasqyron trashëgiminë historike, kulturore dhe industriale të një qyteti që ka njohur transformime të mëdha ndër vite.
Ndërsa të dhënat e fundit që vijnë nga Drejtoria e Turizmit në Bashkinë Memaliaj flasin për mbi 600 vizitorë vetëm gjatë muajit korrik, të huaj, por edhe vendas.
“Kemi pasur një numër të lartë vizitorësh, kryesisht familje emigrante apo ish-minatorë, të cilët me nostalgji shikojnë objektet dhe portrete të ndryshme. Muzeu sa po vjen e po pasurohet. Familjarët dhurojnë objektet që kanë në familjet e tyre dhe dokumente të ndryshme historike. Interesi nga guida të ndryshme turistike është shumë i lartë. Turistët e ndryshëm, qoftë ditorë, qoftë me guida, janë të interesuar për vërtetësinë e këtyre dokumenteve dhe habiten,” tregon Edmond Sala, përgjegjës i Muzeut.
Me koleksione që përfshijnë dokumente arkivore, objekte etnografike, relikte të periudhës së minierave dhe dëshmi të jetës së përditshme në zonë, institucioni po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e studiuesve, turistëve dhe të rinjve që kërkojnë të rikthehen te rrënjët.
Gazetare: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




