Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, një prej muzeve më të vizituar në Korçë, 30 mijë vizitorë deri tani
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë mbylli me sukses sezonin veror të këtij viti, duke shënuar një periudhë të pasur me veprimtari kulturore, ekspozita dhe vizita turistike. Gjatë muajve të verës, muzeu u kthye në një nga destinacionet më të vizituara të qytetit, duke mirëpritur mijëra vizitorë vendas dhe të huaj që u njohën nga afër me trashëgiminë e çmuar ikonografike shqiptare.
“Dy vitet e fundit kanë qenë me një prurje tejet të madhe të vizitorëve, kryesisht të huaj të cilët kanë një interes të jashtëzakonshëm për objektet e Muzeut të Artit Mesjetar. Mund të flasim për një shifër rreth 30 mijë vizitor deri në muajin shtator”, u shpreh Fjoralba Prifti, Drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë.
Me mbylljen e sezonit veror, institucioni nis përgatitjet për programin e vjeshtës dhe dimrit, i cili do të përfshijë ekspozita të reja tematike, aktivitete arsimore dhe nisma të reja bashkëpunimi ndërkombëtar.
“Muzeu organizon herë pas here në kuadër të programit “Edukimi mbi kulturën” , programe të ndryshme me shkollat, të cilët njihen me trashëgiminë kulturore”, tha ajo.
Përmes ekspozitave të përkohshme, aktiviteteve edukative dhe bashkëpunimeve me artistë e institucione kulturore, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar dëshmoi se arti i së kaluarës mbetet frymëzim i përhershëm për brezat e sotëm.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




