Muzikantët e ndaluar shkodranë, Gjyrezi: Brezi i ri duhet t’i njohë dhe studiojë

Kulturë | 1 vit më parë

Ndikimi i diktaturës komuniste në artin shqiptar është një kapitull i vështirë, sidomos për muzikantët që u përndoqën, u internuan apo u dënuan thjesht për krijimtarinë e tyre.

Muzikologu Qamil Gjyrezi, në një studim të thelluar, sjell në vëmendje figurat që vuajtën për artin dhe idealet e tyre.

“Unë, si muzikolog, pretendoj të studioj disa muzikantë të ndaluar, të burgosur nga diktatura. Natyrisht, veprat e tyre nuk është e lehtë të gjenden, sepse partitura të caktuara ndodhen në biblioteka individuale, personale, të cilat do të ishte shumë mirë të ishin këtu, në muzeun ku ndodhemi”, tha Gjyrezi.

Sherif Merdani dhe Gaspër Çurçia janë dy prej emrave më të njohur që u përballën me persekutimin. Bashkë me ta, Gjyrezi përmend edhe figura të tjera të rëndësishme si: etnologun dhe muzikantin françeskan At Bernardin Palaj, kompozitorët At Mikel Koliqi dhe At Donat Kurti, si dhe muzikologët e burgosur Luigj Filaj, At Filip Mazreku, Zef Gruda, Zef Leka, etj.

“Është mirë që të rinjtë e qytetit të njihen me muzeun, të reflektojnë nga historia, nga diktatura, pasi është një arkiv e jashtëzakonshme për të gjithë qytetin tonë”, shtoi Gjyrezi.

Për muzikologun Qamil Gjyrezi, dokumentimi i kësaj periudhe nuk është vetëm një detyrë historike, por një domosdoshmëri kulturore.

Gazetar: M. Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme