Nagelsmann thumbon Barçën: Nuk kanë para, por blejnë kë të duan

Gjermani | 4 vite më parë

Robert Lewandowski kaloi te Barcelona për një shumë fikse prej 45 milionë eurosh, plus 5 milionë bonuse në varësi të arritjeve të ndryshme. Sulmuesi 34-vjeçar polak është bërë kështu përforcimi i katërt i katalanasve në treg pas Christensen dhe Kessié (pa pagesë) dhe investimit prej gati 58 milionësh për Raphinha nga Leeds. Ky përshpejtim në merkaton e klubit blaugrana, me një shpenzim neto afër 80 milionë euro, pavarësisht kontekstit delikat ekonomik, befasoi Julian Nagelsmann, i cili deklaroi për ‘Sky Sports’: “Barcelona është i vetmi klub që nuk ka para, por blen të gjithë lojtarët që dëshiron. Nuk e di si është e mundur që ta kenë këtë disponueshmëri. Më duket e çuditshme, pak e çmendur”.

Trajneri i Bayern nuk e fshehu gëzimin e tij për ardhjen e De Ligt: “Jam shumë i lumtur që kemi nënshkruar me De Ligt. Ai është një nga qendërmbrojtësit më të talentuar në botë dhe është ende i ri. Është një shenjë e mirë për ne dhe për Bundesligën që na kanë zgjedhur. Është gjithashtu një kërcënim në zonën kundërshtare, shpresoj që ai të shënojë 7-8 gola”.

Më pas ishte radha e Gravenberch, i cili u rrit tek Ajax ashtu si ish-juventini. “Ryan bëri një përshtypje të madhe. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe gjithmonë ka ide të mira. Ka ende potencial mbrojtës,  është i gatshëm ta bëjë këtë dhe kjo është një gjë e mirë. Me largimin e Goretzka-s, ai së shpejti ka një shans për të lënë gjurmë në lojën tone”.

Në fund, një koment për Sadio Mané: “Është një shenjë e mirë për Bayernin dhe Bundesligën që lojtarët e këtij kalibri kanë zgjedhur Bayernin. Ne humbëm një sulmues, por ne kemi fituar një tjetër dhe një mbrojtës më shumë (De Ligt). Pra, ne jemi të pajisur mirë”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme