Naim Frashëri, 125 vjet më pas, mbrëmje letraro-muzikore në nder të poetit të Rilindjes Kombëtare
Në Kullën Veneciane të Durrësit, u zhvillua një mbrëmje letraro-muzikore për nder të 125-vjetorit të Naim Frashërit. Titulli “Naim Frashëri – In Memoriam” solli një udhëtim poetik, ku arti dhe muzika u ndërthurën me trashëgiminë e tij të pavdekshme. Mbrëmja u realizua me interpretimin e trupës së Teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe me pjesëmarrjen e Yllka Mujos dhe Ndriçim Xhepës, të cilët sollën me ndjeshmëri vargjet e poetit.
“Është vërtet kënaqësi të lexosh, të recitosh vargjet e tij aq me tepërt kur kemi shumë kohë që nuk e kemi recituar. Malli dhe dëshira bëhet më e madhe dhe më e ndjeshme”, u shpreh aktorja e mirënjohur Yllka Mujo.
“Është kënaqësi që jemi mbledhur në këtë kullë veneciane që është një ambient i shkëlqyer. Është dita e Naimit dhe kënaqësi që mblidhemi bashkë me kolegët e Durrësit”, tha aktori i njohur Ndriçim Xhepa.
Studiuesja Rovena Mata Mikeli theksoi rëndësinë e këtij përvjetori për t’i ri sjellë vlerat e Rilindjes Kombëtare te brezat e rinj, duke e quajtur Naimin si figurën qendrore të Rilindjes dhe bilbilin e gjuhës shqipe.
“Naim Frashëri poeti ynë kombëtar është jo vetëm krijuesi dhe figura më e shquar e Rilindësve por ai i dha zë Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe gjuhës shqipe”, u shpreh studiuesja.
Mbrëmja përfundoi me duartrokitje të gjata, si homazh për Naim Frashërin, që vazhdon të mbetet frymëzim për brezat e ardhshëm.
Gazetar: M. Marashi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




