NATO rrit praninë në Kosovë – KFOR përforcohet me ushtarë nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia e Rumania

Kosovë | 2 vite më parë

Ushtarë shqiptarë, bullgarë, grekë dhe rumunë nga Rezervat Operacionale kanë nisur dislokimin e tyre në Kosovë, në mbështetje të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.

Sipas një komunikate zyrtare të KFOR-it, ky mision vijon të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë banorët dhe komunitetet në Kosovë.

Batalioni i Forcës Multinacionale të Rezervës Operacionale (ORF) ka marrë përsipër detyrat nga Batalioni i Forcës Operacionale të Rezervës turke, bazuar në një plan rotacioni të mbikëqyrur nga Komanda e Forcës së Përbashkët të NATO-s në Napoli, Itali.

Me rreth 270 ushtarë, ky batalion do të operojë përkohësisht përkrah 200 forcave të rezervës të brigadës italiane “Sassari”.

Shtimi i këtyre forcave rrit aftësinë e KFOR-it për të reaguar ndaj zhvillimeve të mundshme të situatës së sigurisë, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

KFOR vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), duke vepruar në mënyrë të paanshme për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme