Ndahen çmimet e Panairit 2025 – Autori më i mirë, Artan Fuga. Përkthyesi më i mirë Virgjil Muçi

Kulturë | 12 muaj më parë

Dita e katërt e Panairit të Librit kulmoi me dhënien e çmimeve letrare, duke nisur nga romani më i mirë, përkthimi më i mirë, vepra më e mirë studimore, etj.

Juria e edicionit të 28-të të Panairit të Librit e përbërë nga: Elsa Skënderi, Beti Njuma, Maniela Sota, Teuta Dhima dhe Zija Vukaj, shpalli Autorin më të mirë të vitit 2025, Artan Fuga, me romanin “Ndëshkimi i dytë i Evës”, një strukturë romaneske mbresëlënëse, ku ndërthuren miti i zanafillës, dramat e jetës familjare e urbane dhe zhvillimet teknologjike të bashkëkohësisë.

“Në këtë roman kam dashur të krijoj një kontekst që është shumë subjektiv në kuptimin që për ty aty personazhet, qofshin burokratë, intelektualë, apo njerëz të zakonshëm që kanë probleme me pronat e tyre, me njerëzit e tyre, të gjithë jemi bashkë në një fajësi universale”, tha Fuga.

Çmimi “Përkthyesi më i mirë i vitit” shkoi për z. Virgjil Muçi për përkthimin mjeshtëror të veprës Xhejmsi të Percival Everett, fitues i Çmimit Pulitzer 2025, ku reflektohen njohuritë e thella të natyrës së shqipes, por edhe talenti i tij prej shkrimtari.

Çmimi “Autori i librit më të mirë për fëmijë” i jepet znj. Valbona Banka për romanin për fëmijë Aria, në dorën time, për rrëfimin e këndshëm dhe me humor, që ndërkall në tekstin letrar edhe shenja identitare të vendit dhe të gjuhës sonë, që nxisin formimin e identitetit kombëtar te lexuesit e vegjël, dhe edukimin emocional përmes letërsisë.

Ndërsa çmimi për veprën më të mirë studimore shkoi studiuesit dhe pedagogut Ali Xhiku, për veprën Faqeve të historiografisë shqiptare, për kontributin e vyer për ndriçimin teorik dhe metodologjik të çështjeve kyçe të historisë së letërsisë shqipe.

Ndërsa Çmimi për përkthimin më të mirë letrar nga frëngjishtja në shqip i jepet z. Urim Nergutit për përkthimin e romanit “Hyrija” të Kamel Daoud.

Çmimet e Panairit të Librit janë një moment i rëndësishëm për letërsinë shqipe, pasi janë një vlerësim për autorët dhe studiuesit për punën letrare që ata bëjnë përgjatë 1 viti.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme