Ndahet nga jeta aktori Enver Petrovci, ikona e filmit dhe teatrit në Shqipëri dhe Kosovë

Kulturë | 1 vit më parë

Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare aktori dhe regjisori i mirënjohur Enver Petrovci.

Lajmin e konfirmuan familjarët e tij, ndërsa me pikëllim reagoi edhe Teatri Kombëtar i Kosovës, ku mjeshtri i regjisë dhe aktrimit shfaqi veprat e tij të shumta.

“Me dhimbje dhe pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit tonë të dashur, Enver Petrovci. Kjo është një humbje e madhe për familjen tonë dhe për mbarë artin shqiptar. Ai do të kujtohet gjithmonë për shpirtin e tij fisnik dhe veprën e jashtëzakonshme që la pas”, shkroi Amir Petrovci.

Për ndarjen nga jeta të Enver Petrovcit ka shprehur ngushëllimet edhe kryeministri Edi Rama.

“Aktor i jashtëzakonshëm, njeri i dashur dhe keqardhje e madhe. Prehu në paqe Enver Petrovci”, shkruan Rama.

Enver Petrovci lindi në Prishtinë, më 28 shkurt 1954, ku fillimisht ndoqi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në degën e aktrimit, ndërsa më pas u diplomua në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Karriera e tij u shënua nga role të shumta në teatër dhe film, si në Shqipëri, edhe në Kosovë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike. Ai u bë i njohur në mbarë ish-Jugosllavinë, sidomos në teatrin “Atelje 212” të Beogradit.

Petrovci u vlerësua si një ndër aktorët më të shquar të kohës, me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare: çmimi i parë në Festivalin Mbarëkombëtar “Aleksandër Moisiu” Tiranë (1993), aktori më i mirë në Festivalin e Filmit Kosovar (2003 dhe 2004), aktori më i mirë protagonist në Festivalin e Teatrove të Kosovës (2007), dhe aktori më i mirë në Tirana International Film Festival (2010).

Përveç skenës, ai dha një kontribut të madh edhe në edukimin e brezave të rinj të artistëve, si njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Karriera e tij artistike si aktor dhe regjisor

Teatër:

  • Idioti – regjinë dhe rolin kryesor
  • Dëshmitari kryesor – regjisor
  • Kush më ka faj që jam shqiptar – regjisor
  • Guxim për vrasje – rolin kryesor

Filmografia:

  • Kur pranvera vonohet – 1980 – serial
  • Lazari – 1984
  • Rojet e mjegullës – 1988
  • Forbidden sun – 1989
  • Migjeni (film) – 1990
  • Nekrologji – 1994
  • Lule të kuqe, lule të zeza – 2003
  • 1244 – 2003
  • Një Milion Euro – 2005
  • Anatema – 2006
  • Gomarët e Kufirit  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme