Ndahet nga jeta Prof. Dine Abazi, një nga figurat e njohura të mjekësisë shqiptare

Aktualitet | 1 orë më parë

U nda nga jeta në moshën 87-vjeçare Dr. Din Abazaj, mjeku dhe kardiologu i njohur, një prej figurave të spikatura të mjekësisë shqiptare.

Për më shumë se pesë dekada, Dr. Abazaj ia kushtoi jetën profesionit të mjekut dhe shërbimit ndaj njerëzve, duke lënë pas një kontribut të gjatë në fushën e kardiologjisë dhe në sistemin shëndetësor shqiptar.

Gjatë karrierës së tij, ai u vlerësua për përkushtimin ndaj pacientëve dhe profesionit, duke fituar respektin e kolegëve dhe të komunitetit ku shërbeu.

Kush ishte mjeku Abazi

I lindur në 20 Nëntor 1938, Dr. Din Abazaj u rrit në një familje të thjeshtë, me tradita të forta njerëzore dhe atdhetare. Që në rini u dallua për dashurinë ndaj dijes, punës dhe njerëzve.

Në vitin 1967 u diplomua në Mjekësi dhe nisi karrierën si mjek. Më pas u specializua në kardiologji dhe gjatë viteve shërbeu në disa institucione shëndetësore, duke mbajtur edhe detyra drejtuese. Nga viti 1987 deri në vitin 1992 drejtoi Poliklinikën Speciale në Tiranë, ndërsa në vitet 1997–1998 shërbeu si zëvendësministër i Shëndetësisë.

Një pjesë shumë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet me Urdhrin e Mjekëve dhe organizimin e profesionit mjekësor në Shqipëri.

Dr. Din Abazaj ishte një nga figurat që kontribuoi në riorganizimin dhe konsolidimin e Urdhrit të Mjekëve pas miratimit të ligjit të vitit 2000. Një pjesë shumë e rëndësishme e veprimtarisë së tij profesionale lidhet me organizimin dhe përfaqësimin e mjekëve shqiptarë. Nga viti 1999 deri në vitin 2015, Dr. Abazaj ishte President i Këshillit Kombëtar të Mjekëve dhe gjatë kësaj periudhe luajti një rol të rëndësishëm në konsolidimin e organizimit profesional të mjekëve dhe në zhvillimin e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë. Gjatë viteve në drejtimin e Urdhrit, ai dha një kontribut të rëndësishëm në forcimin e organizimit të profesionit, në respektimin e etikës dhe deontologjisë mjekësore dhe në krijimin e strukturave dhe rregullave që lidhen me ushtrimin e profesionit dhe përgjegjësinë profesionale të mjekut.

Gjatë viteve të drejtimit të tij, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë u anëtarësua dhe zhvilloi marrëdhënie bashkëpunimi me organizata të rëndësishme ndërkombëtare dhe evropiane të mjekësisë, ndër të cilat Shoqata Botërore e Mjekësisë (WMA), Shoqata Ndërkombëtare e Autoriteteve Rregullatore të Mjekësisë (IAMRA), Konferenca Evropiane e Urdhrave të Mjekëve (CEOM) dhe Komiteti i Përhershëm i Mjekëve Evropianë (CPME).

Një tjetër moment i rëndësishëm gjatë kësaj periudhe ishte miratimi i ligjit të ri për Urdhrin e Mjekëve në vitin 2014, i cili përcaktoi një kuadër të ri për organizimin dhe funksionimin e Urdhrit dhe për anëtarësimin e mjekëve dhe mjekëve specialistë.

Përtej posteve dhe përgjegjësive që mbajti, Dr. Din Abazaj do të kujtohet si një njeri i qetë, i thjeshtë, i matur dhe i respektuar. Për kolegët e tij ishte një mjek i përkushtuar dhe një drejtues që i shërbeu profesionit me seriozitet e dinjitet.

Ndarja e tij nga jeta është një humbje për familjen, miqtë dhe kolegët, por edhe për komunitetin mjekësor shqiptar, të cilit ai i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij.

Vepra dhe kontributi i Dr. Din Abazaj do të mbeten pjesë e historisë së mjekësisë shqiptare dhe të rrugëtimit të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme