Ndalesa e vizave amerikane për 75 vende, gjykatësja federale vendos kundër politikës së Trump

Botë | 2 muaj më parë

Një gjykatëse federale ka anuluar ndalesën që administrata e presidentit amerikan Donald Trump pati vendosur ndaj lëshimit të vizave imigruese për qytetarët e 75 vendeve, përfshi Shqipërinë dhe Kosovën, duke argumentuar se një politikë e tillë ishte në shkelje me ligjin federal të imigracionit pasi krijonte terren për diskriminim mbi bazën e kombësisë.

Në fillim të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi ndaljen e dhënies së vizave imigruese për qytetarët e vendeve nga Europa, Afrika, Azia, Lindja e Mesme, Karaibet dhe Amerika Latine, me arsyetimin se qytetarët e këtyre vendeve mund të bëheshin barrë për sistemin amerikan të ndihmës publike.

Por gjykatësja Jeannette A. Vargas e qarkut jugor të Nju Jorkut u shpreh se ligji kërkonte që çdo aplikant të vlerësohej individualisht, duke marrë parasysh gjendjen financiare, moshën, shëndetin, aftësitë dhe rrethanat familjare. Sipas saj, politika e administratës Trump detyronte në praktikë zyrtarët konsullorë të refuzonin aplikime vetëm mbi bazën e shtetësisë, edhe kur aplikanti paraqiste prova se mund të përballonte financiarisht jetesën në SHBA.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme