Nderohet Ali Kondi në 100 vjetorin e lindjes, “Njeriu këngë, njeriu valle” sjell trashëgiminë e folklorit devollit
Studiuesi dhe mbledhësi i folklorit Ali Kondi, këngëtar dhe valltar i njohur në krahinën e Devollit u nderua këtë fundjavë më 100-vjetorin e lindjes me publikimin e një libri monografik mbi jetën dhe krijimtarinë e tij.
Tubimi u mbajt në shtëpinë muze të shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli, ku edhe u shfletuan kopjet e para të librit “Njeriu këngë, njeriu valle”, një përmbledhje e krijimtarisë së Ali Kondit, bashkë me këngët, vallet, kujtimet dhe fotografitë e tij.
“Ali Kondi është shpallur ‘Artist i Merituar’ i kahershëm sepse spikati jo vetëm si një interpretues i folklorit, por kontributi i tij u shpalos si koreograf, organizator i kulturës, qoftë në vatrat lokale të kulturës, por edhe në pjesëmarrjet e shumta që ai pat në festivalet folklorike”
Në repertorin e Ali Kondit afro gjysmë shekulli, ka më shumë se 1 mijë këngë e valle, mbi 500 janë të inçizuara në Institutin e Kulturës Popullore.
Aliu ishte bartës dhe transmetues i stafete të rrallë kulturore prej tetë breza këngëtarësh e valltarësh në fisin Kondi, provë e gjallë se folklori këndohet, kërcehet dhe trashëgohet.
Në qendër të kësaj trashëgimie qëndron vallja devolliçe, plot figura që bartin krenari dhe disiplinë, rite dhe përmbajtje. Në 100-vjetorin e lindjes së këtij mjeshtri të folklorit devollit, libri për të është një ftesë publike për të ruajtur trashëgiminë artistike të brezave që fëmijët të mësojnë vallet e të parëve, të respektojnë këngën si besim, gëzim dhe jetë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




