“Ndezja e qirinjve mbi shishet e shampanjës i vuri flakën tavanit”, si nisi tmerri në Crans-Montana

Europë | 10 muaj më parë

Ndërsa hetimet zyrtare vazhdojnë, dëshmitë e para të të mbijetuarve po zbardhin dinamikën e tmerrshme të zjarrit që shkrumboi barin “Constellation”.

Dy të reja franceze, Emma dhe Albane, të cilat ndodheshin në ambientet e lokalit në momentin e shpërthimit të flakëve, kanë treguar për televizionin BFM se gjithçka nisi nga një pakujdesi gjatë ceremonisë së hapjes së shampanjës.

Qirinjtë në tavanin prej druri

Sipas dëshmitareve, tradita festive e ndezjes së qirinjve mbi shishet e shampanjës u shndërrua në një kurth vdekjeprurës.

“Një nga qirinjtë mbahej shumë afër tavanit, i cili mori flakë menjëherë. Brenda pak sekondash, i gjithë tavani – i cili ishte i tëri prej druri – ishte në flakë,” treguan të rejat, ende në gjendje shoku.

Nga festa në ferr brenda pak sekondash

Ky detaj shpjegon shpejtësinë e përhapjes së zjarrit, e cila i zuri në befasi rreth 400 personat që ndodheshin brenda. Struktura prej druri, karakteristike për resortet alpine, ka shërbyer si lëndë djegëse e menjëhershme, duke mos u lënë kohë njerëzve të largoheshin drejt daljeve të emergjencës.

Kaos në spitalin e Sionit: “Njerëzit vinin nga kudo, ndihej erë djegieje”

Ndërsa bilanci i viktimave në Crans-Montana mbetet i rëndë, dëshmitë që vijnë nga spitalet e rajonit Valais përshkruajnë skena apokaliptike. Një dëshmitare, e cila ndodhej në spitalin e Sionit gjatë natës, ka rrëfyer për gazetën lokale Le Nouvelliste momentet e para të mbërritjes së të plagosurve.

Dëshmitarja tregon se rreth orës 02:00 të mëngjesit, stafi mjekësor u detyrua të zbrazte sallat e pritjes për t’u bërë vend dhjetëra personave që po mbërrinin me djegie të rënda.

“Një infermiere na urdhëroi të largoheshim menjëherë. Na tha se po vinin rreth 30 viktima pas një shpërthimi në Montana. Kur dola jashtë, pashë kaosin: njerëz që vinin me makina private, njerëz të plagosur rëndë dhe një erë e fortë djegieje që mbulonte gjithçka,” rrëfen ajo.

Rruga e bllokuar nga makinat

Sipas saj, paniku bëri që shumë automjete të liheshin në mes të rampës së hyrjes në urgjencë, duke vështirësuar lëvizjen e ambulancave. Kjo dëshmi përputhet me njoftimet e mëparshme të autoriteteve se njësitë e kujdesit intensiv ishin mbushur në kohë rekord, gjë që detyroi Italinë të ofronte ndihmë nga spitali Niguarda i Milanos.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme