Ndryshimet klimatike në Shkodër, eksperti i mjedisit: Po japin impaktin e tyre negativ në territor, por është rritur dhe ndërgjegjësimi

Aktualitet | 1 vit më parë

Ndryshimet klimatike kanë pasur ndikimin e tyre në Shkodër përgjatë dekadës së fundit. Dimrat e fundit kanë sjellë përmbytje të përsëritura, duke dëmtuar banesa, tokat bujqësore dhe infrastrukturën, ndërsa stinët e nxehta janë shoqëruar me rritje të rrezikut nga zjarret në pyje dhe zona të banuara.

Eksperti i mjedisit, Ervis Krymbi, thekson se këto fenomene nuk janë më të rastësishme, por pasojë direkte e ndryshimeve klimatike.

“Përmbytjet e njëpasnjëshme, që kanë ndodhur në dekadën e fundit dhe luhatjet e temperaturave, reshjet që grumbullohen në harku kohor të 72 orëve tregon se kemi një ndryshim të ciklit jashtëzakonisht të madh dhe impaktet negative në territor nuk janë të vogla”, u shpreh eksperti i mjedisit.

Megjithatë, Krymbi vlerëson faktin që vitet e fundit është rritur ndërgjegjësimi dhe janë ndërmarrë disa masa konkrete për përballimin e këtyre sfidave por duhet bërë më shumë.

“Janë marrë disa masa të caktuara në terren për përmbytjet lidhur me argjinaturat, kontrolli i kanaleve dhe kjo është diçka shumë pozitive”, tha ai.

Kombinimi i përmbytjeve në dimër dhe zjarreve në verë e bën Shkodrën një zonë të ekspozuar ndaj pasojave të drejtpërdrejta të klimës, por ekspertët shpresojnë që masat e marra dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve të ndihmojnë në përballimin e këtyre sfidave në të ardhmen.

Gazetar: M. Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme