Ndryshimet në qeveri, Neza: Ka pakënaqësi te socialistët, në PS mungon debati

Në një analizë mbi ndryshimet e fundit qeveritare dhe dinamikën politike në Shqipëri, analisti Sami Neza ka ngritur shqetësime serioze lidhur me pakënaqësinë e brendshme në Partinë Socialiste (PS) dhe mungesën e debatit për çështje kritike, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin dhe drejtësinë.
Gjatë një edicioni special të moderuar nga gazetarja Sonila Agostini në RTSH, Neza theksoi se ndonëse ndryshimet në qeveri, drejtimin e Kuvendit dhe grupit parlamentar të PS-së, si dhe në komisionet parlamentare, kanë sjellë një valë pakënaqësish brenda partisë, këto të fundit po mbahen të heshtura. Sipas tij, shumë ministra dhe ish-ministra, si dhe drejtues të lartë të PS-së, janë nën hetim ose të burgosur, por mungesa e një debati të hapur për këto probleme brenda partisë është shqetësuese.
“Është një grup që ka pakënaqësi, por që pakënaqësitë po i mbajnë brenda dhe nuk i kanë shfaqur. Ata duket e kanë pranuar pushtetin e Ramës,” tha Neza, duke shtuar se “nëse do të ketë dobësi te Rama, pakënaqësitë do të shfaqen.”
Ai vuri në dukje se PS, pavarësisht se ka qenë në pushtet për 12 vite, vuan nga mungesa e debatit, jo vetëm në Asamblenë Kombëtare, por edhe në nivele më të ulëta. Kjo mungesë debati, sipas Neza, është e rrezikshme për demokracinë, duke pasur parasysh që partia ka prodhuar qeveri ku një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve janë të përfshirë në çështje ligjore.
Në këtë kontekst, Neza paralajmëron se kjo situatë krijon një rrezik jo vetëm për PS-në, por edhe për demokracinë shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




