Ndryshimi i klimës trefishon vdekjet nga nxehtësia në Evropë

Një grup shkencëtarësh njoftuan të mërkurën se ndryshimi i klimës ka trefishuar numrin e vdekjeve të shkaktuara nga vala e nxehtësisë në Evropë gjatë fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut. Temperaturat ekstreme prekën pjesë të mëdha të kontinentit, duke ekspozuar miliona njerëz ndaj rrezikut të nxehtësisë.
Duke analizuar të dhënat nga 12 qytete evropiane, studiuesit zbuluan se në 11 prej tyre, valët e nxehtësisë do të kishin qenë më të buta për 2-4 gradë Celsius nëse nuk do të ishte ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor. Nga 2,300 vdekje që u lidhën me temperaturat e larta, rreth 1,500 u atribuohen drejtpërdrejt ndryshimit të klimës.
Shkencëtarët nënvizuan se nxehtësia është një “vrasës i heshtur” që prek më shumë të moshuarit, ndërsa këto vdekje shpesh mbeten të pazbuluara në raportime. Sipas ekspertëve, vala e nxehtësisë e javës së kaluar vrau më shumë njerëz sesa përmbytjet e fundit shkatërruese.
“Ndryshimi i klimës është një ndryshim absolut kur bëhet fjalë për nxehtësinë ekstreme”, tha Friederike Otto, një shkencëtare e klimës në Imperial College London, e cila bashkë-drejtoi hulumtimin.
Ngrohja globale, e shkaktuar nga djegia e lëndëve fosile si qymyri, nafta dhe gazi natyror, po e rrit frekuencën dhe intensitetin e këtyre valëve të të nxehtit. Popullsia në plakje e Evropës e bën më të ndjeshme ndaj këtyre efekteve.
Agjencia Evropiane e Mjedisit paralajmëroi se vdekjet që lidhen me nxehtësinë mund të rriten dhjetëfish nëse temperatura e planetit ngrihet me 1.5 gradë Celsius dhe tri dhjetëfish nëse ngrohja arrin në 3 gradë Celsius.
“Studimi ynë është vetëm një pamje e shkurtër e numrit të vërtetë të vdekjeve të lidhura me temperaturat e shkaktuara nga ndryshimet klimatike në të gjithë Evropën, të cilat mund të kenë arritur në dhjetëra mijëra”, tha Garyfallos Konstantinoudis, gjithashtu një specialist i klimës në Imperial College London.
Aktualisht, planeti është 1.3 gradë Celsius më i nxehtë se periudha para industriale dhe pritet të ngrohet rreth 2.7 gradë Celsius gjatë këtij shekulli, nëse nuk ndërmerren masa urgjente.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



