Ndryshimi i rregullores së Kuvendit, Tabaku-mazhorancës: Nevojitet gjithëpërfshirje, po shkelni Kushtetutën

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku në fjalën e saj pas rifillimit të seancës plenare, theksoi nevojën për ndryshimin e rregullores së Kuvendit me proces gjithëpërfshirës dhe dakordësi mes aktorëve politikë. Sipas saj, ndryshimi i rregullores me procedurë të përshpejtuar përbën shkelje të Kushtetutës.
Ajo theksoi se, nuk ka asnjë vlerë hapja e grupkapitujve për negociatat, në një moment kur mazhoranca shkel me të dyja këmbët rregullat dhe vetë Kushtetutën. Këto shkelje, theksoi ajo, i vendosin një tjetër njollë të zezë Parlamentit në vend.
“Javën e shkuar në nisje të kësaj legjislature u betuam që do zbatojmë kushtetutën. Në seancën e parë e nisim me shkelje. Sesioni i kaluar u mbyll me shkelje me një sjellje e cila e ngushtoi hapësirën e debatit parlamentar. Rregullorja ka nevojë të ndryshohet me debat të gjere si të jellim ligj për konfliktin e interesit, si paketë të plotë me gjithëpërfshirje, Por ju nisni një procedurë që sipas Kushtetutës duhet të zgjasë jo më pak se një javë. Sot duhet të kishin nevojë për një debat parlamentar si të rrisim hapësirën e opozitës, në një moment kur të gjitha hapësirat janë uzurpuar nga mazhoranca. Struktura e re e komisioneve nuk reflekton procesin e integrimit dhe as prioritetet që ka sot Shqipëria. Po e nisni legjislaturën duke shkelur me dy këmbë rregullat e përbashkëta të lojës që mazhorancë-opozitë të jetë dakord. Procesi i integrimit është gjithëpërfshirës, dakordësi dhe zbatim rregullash. Sa vlerë ka sa kapituj hapen kur shkelet Kushtetuta pa nisur Parlamenti? Parlamenti sot fatkeqësisht nuk reflekton vullnetin e shqiptarëve”, deklaroi Tabaku.
Në të njëjtën linjë ka vijuar edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho e cila akuzoi mazhorancën për shkeljen e Kushtetutës. Sipas saj, shkrija e Komisionit të Integrimit në një proces jetik për negociatat dhe anëtarësimit, nuk bën gjë tjetër veçse poengon procesin.
“Gjithë ky diskutim i pavend për një nga vendimet e rëndësishme të këtij parlamenti siç janë Ndryshimet e Rregullore, vijnë në Kundërshtim me Kushtetutën. Të vijnë në këtë seancë parlamenti duke shkelur kushtetutën është pak të thuash sa fallco ishte betimi deputetëve.
Me jepni një rast kur opozita ka qenë destruktive apo ka penguar procesin e integrimit. Shkritë një komision jetik për momentin ku jemi. Duhet gjithpërfshirje e aktorëve politike, akademisë, shoqërisë civile, medias. Nuk është vetëm tagër i qeverisë procesi i integrimit”, përfundoi Xhixho.
Mes debatesh Kuvendi miratoi me votat e mazhorancës ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, duke rritur numrin e komisioneve të përhershme parlamentare nga 8 në 11, 7 prej të cilave e ka drejtimin mazhoranca dhe 4 do të drejtohen nga opozita.
Futja në Kuvend me procedurë të përshpejtuar e ndryshimeve të rregullores së Kuvendit, solli përplasje mes opozitës e mazhorancës. Demokratët kundërshtuan miratimin e këtyre ndryshimeve pa gjithëpërfshirje, duke e konsideruar si shkelje të Kushtetutës. Nga ana e saj, mazhoranca argumentoi se ndryshimet janë të domosdoshme për rritjen e efikasitetit në punën parlamentare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




