Në Manastirin e Shën Marisë në Boboshticë kryhen punime restauruese me mbështetjen e bamirësve
Në Manastirin e Shën Marisë në Boboshticë janë kryer së fundmi punime për sistemimin dhe shtrimin e sheshit përreth, falë kontributeve të dhëna nga besimtarë dhe bamirës të tjerë.
Sipërfaqja totale prej 1600 m² është ndarë në dy zona: rreth 830 m² janë shtruar me asfalt, ndërsa 780 m² të tjerë, që ndodhen përreth kishës, janë shtruar me kubikë betoni, për të ruajtur harmoninë me ambientin historik dhe fetar.
Pjesë e ndërhyrjes ka qenë edhe realizimi i ikonografisë në kupolën e kishës, duke i dhënë manastirit një pamje më dinjitoze për besimtarët dhe vizitorët.
“…brenda këtij projekti kanë kontribuar edhe shumë besimtarë, së fundi janë bërë edhe disa investime me dhurata të njerëzve. Janë bërë rregullime jashtë dhe po bëhen restaurime edhe brenda, të gjitha këto janë bërë me shpenzime të dhuruesve. Së fundmi një familje e nderuar korçare ka dhuruar ikonografisë në kupolën e kishës që i jep një pamje më të plotë të manastirit”, tha At Mihal Sanellari, Klerik i Mitropolisë së Korçës.
Kleriku i Mitropolisë së Korçës, shton se kjo vepër është realizuar me përkushtim dhe se Manastiri i Shën Marisë mbetet një nga vendet më të vizituara të besimit ortodoks në këtë zonë, veçanërisht gjatë ditëve të shenjta dhe festave lokale.
Gazetare Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




