Në pritje të Fest 64, në sallën e festivalit vijojnë punimet intensive për ndërtimin e skenografisë
Në Pallatin e Kongreseve kanë nisur përgatitjet intensive për Festivalin e 64-t të Këngës në RTSH. Skenografia që i është besuar Albi Ciflikut, po merr jetë dita ditës me elementë vizualë që synojnë të nxjerrin sa më bukur performancat e artistëve gjatë 4 netëve të festivalit.
“Skenografia e Fest 64 këtë vit vjen më moderne, vjen në një formë instalative”, tha ai.
Skenografi Cifliku zbulon dhe disa elemente të skenografisë së Fest 64.
“Dëshira e madhe vjen që orkestra të hipë në një piedestal shumë të lartë, të ndahet e gjitha në një shkallare shumë të madhe. Dhe pjesa teknologjike që e filluam vjet me tavanin gjenetik, do ta kemi edhe këtë vit në një formë tjetër, me disa aksesorë. Kemi vënë në funksion shumë të rëndësishëm edhe shkallën ku kemi dëshirë që prezantuesi dhe të ftuarit të na vijnë nga poshtë, pra të vijnë sa më bukur”, tha Cifliku.
Biletat e natës së parë dhe natës së dytë të Fest 64 tashmë mund të blihen në platformën online myticket.al, ndërsa në ditët në vijim mund të tërhiqen fizikisht pranë Pallatit të Kongreseve.
Festivali i 64 i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar mbahet nga data 17 deri në datën 20 dhjetor dhe do të vijë nën moderimin e Salasano Rrapit dhe Arilena Arës.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




