Në Tiranë mbahet Java Kulturore Saudite. Arabia Saudite, një shembull i transformimit dhe modernizimit
Në përfundim të Javës Kulturore Saudite në Tiranë, organizuar nga Ministria e Kulturës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, në Pallatin e Kongreseve u mbajt një event i cili prezanton për publikun shqiptar trashëgiminë dhe kulturën e pasur saudite në të gjitha dimensionet e saj.
Në fjalën e tij, ambasadori saudit foli rreth “Vizionit 2030” të Mbretërisë Saudite, si dhe u ndal tek marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
“Mbretëria e Arabisë Saudite përfaqëson një shembull ndërkombëtar të suksesshëm të transformimit dhe modernizimit. Falë ‘Vizionit 2030’ të Mbretërisë, i cili nuk është vetëm një program zhvillimor, por një projekt gjithëpërfshirës strategjik që ka formësuar horizontet e së ardhmes,” u shpreh ambasadori Faisal bin Ghazi Hafzi.
Ai kishte një ftesë për të gjithë të pranishmit, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Dëshiroj t’ju ftoj të gjithëve, së bashku me familjet dhe miqtë tuaj, që të merrni pjesë në aktivitetet e Javës Kulturore Saudite dhe të njiheni nga afër me kulturën e pasur dhe me zhvillimin modern të Mbretërisë, duke parë se si kultura saudite është shndërruar në një urë solide miqësie dhe bashkëpunimi midis popujve,” tha ambasadori saudit.
Aktiviteti, i cili nisi të martën, më 16 shtator, do të vazhdojë deri më 20 shtator dhe pjesë e tij u bënë personalitete të botës së sipërmarrjes, si dhe përfaqësues të të dyja qeverive.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




