Negociatat për paqe mes SHBA-së dhe Iranit/ Dy anije luftarake amerikane kalojnë Ngushticën e Hormuzit

Gjatë bisedimeve në Islamabad midis SHBA-së dhe Iranit, dy anije luftarake të Marinës Amerikane – shkatërrues të klasit Arleigh Burke me raketa udhëzuese – kanë kaluar ngushticën e Hormuzit për herë të parë që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Sipas “The Wall Street Journal”, kalimi u krye pa incidente dhe nuk u koordinua me Teheranin.
Një zyrtar amerikan tha se ky ishte një operacion i fokusuar në lirinë e lundrimit nëpër ujërat ndërkombëtare.
Ky veprim vjen në kohën kur presidenti Trump deklaroi se SHBA-ja ka filluar pastrimin e ngushticës së Hormuzit për të siguruar rrjedhën e naftës globale, duke e quajtur një favor për vendet e tjera si Kina, Japonia dhe Franca.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës në botë, pasi aty kalon rreth 20-30% e naftës globale.
Pas armëpushimit dyjavor të brishtë, trafiku tregtar ka mbetur shumë i ulët për shkak të frikës nga minat detare dhe kërcënimet iraniane.
Irani ka mohuar se anijet amerikane kanë kaluar ngushticën, ndërsa media shtetërore iraniane raporton se një anije amerikane u paralajmërua për sulm brenda 30 minutave dhe u kthye mbrapsht.
Sipas mediave amerikane, thuhet se tentativa për kalim u ndalua nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike.
Ndërkaq, bisedimet në Islamabad vazhdojnë sot, me delegacionet amerikane dhe iraniane që po përpiqen të forcojnë armëpushimin dhe të diskutojnë një zgjidhje më të gjatë për konfliktin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




