Netanyahu: Izraeli nuk e ka pranuar planin amerikan për Gazën

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli nuk e ka pranuar planin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për Gazën, edhe pas marrjes së garancive se tërheqja izraelite nga territori palestinez nuk do të ndodhë pa çarmatimin e plotë të Hamasit.
Netanyahu tha se ekipi i Donald Trump besonte se mund të arrinte çarmatimin e Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës.
“Ata na dërguan një plan, të cilin ne nuk e kemi pranuar: nuk është plani ynë. Ne ua kemi përcjellë komentet tona”, u shpreh Netanyahu.
Kryeministri izraelit u takua të hënën me “Këshillin e Paqes” të Trump, i cili është ngarkuar me zbatimin e fazës së dytë të planit të paqes për Gazën. Sipas garancive të marra, ushtria izraelite nuk duhet të braktisë pozicionet që mban aktualisht në Rripin e Gazës, rreth 60% të territorit të të cilit kontrollon, deri pas çarmatimit të plotë të lëvizjes islamiste palestineze.
Nga ana tjetër, Hamasi deklaroi të premten se pranon një marrëveshje të shpallur nga Donald Trump, e cila, sipas versionit të bërë publik nga “Këshilli i Paqes”, parashikon fundin e operacioneve ushtarake nga të dyja palët në Gaza, si dhe çarmatimin e lëvizjes islamiste palestineze, në kombinim me një tërheqje graduale të Izraelit.
Netanyahu, i cili po kërkon një mandat të ri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në tetor, ndodhet nën presion nga aleatët e tij të ekstremit të djathtë brenda koalicionit qeverisës. Këta të fundit e kanë kundërshtuar marrëveshjen dhe po kërkojnë një votim brenda qeverisë për ta hedhur poshtë atë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




