Netanyahu: Kemi arritur sukses historik! Fushata ushtarake nuk ndalet, armiqtë duan të na sulmojnë përsëri

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, në një deklaratë të regjistruar në video, ka përshkruar mbrëmjen e sotme si “një mbrëmje lotësh dhe lumturie”, duke theksuar rëndësinë e unitetit kombëtar pas një ngjarjeje që ai e cilësoi si “historike”.
Netanyahu foli për arritjet e fundit të Izraelit, duke i quajtur ato “fitore spektakolare që tronditën të gjithë botën”.
“Është një ngjarje historike, të cilën disa nuk besonin se do të ndodhte ndonjëherë. E di se ka shumë debate mes nesh, por sot, dhe shpresoj edhe në periudhën që po afron, kemi të gjitha arsyet për t’i lënë mënjanë këto debate, sepse me forcën tonë të përbashkët, kemi arritur fitore spektakolare,” tha kryeministri izraelit.
Netanyahu paralajmëroi se fushata ushtarake nuk ka përfunduar ende dhe se Izraeli përballet me sfida të mëdha sigurie në të ardhmen.
“Disa nga armiqtë tanë po përpiqen të rimëkëmben për të na sulmuar sërish”, tha ai, duke u zotuar se Izraeli është i përgatitur për t’u përballur me këto kërcënime.
“Ne jemi në kontroll të situatës,” premtoi ai ndërsa shtoi se këto fitore kanë hapur mundësi të mëdha për Izraelin.
“Duke punuar së bashku, ne do t’i kapërcejmë sfidat dhe do të shfrytëzojmë mundësitë,” u shpreh Netanyahu, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim dhe unitet kombëtar.
Në fjalimin e tij, kryeministri rikujtoi premtimet e bëra gjatë vizitave te familjet e pengjeve dhe shprehu mirënjohje për ushtarët e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe familjet e të rënëve.
“Nesër shënohet fillimi i një rruge të re. Një rrugë e ndërtimit, një rrugë e shërimit dhe, shpresoj, një rrugë e unitetit”, tha më tej Netanyahu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




