Netanyahu urdhëron ushtrinë izraelite: Merrni në kontroll 70% të Rripit të Gazës

Botë | 5 muaj më parë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se i ka dhënë urdhër ushtrisë izraelite të zgjerojë kontrollin ushtarak deri në 70% të territorit të Rripit të Gazës, në një lëvizje që mund të çojë në përshkallëzim të konfliktit dhe të minojë armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA-të.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit të arritur në tetor, ushtria izraelite ishte tërhequr në një vijë demarkacioni që i jepte Izraelit kontroll mbi 53% të territorit të Gazës. Megjithatë, raportimet tregojnë se forcat izraelite kanë avancuar gradualisht më tej në territoret e kontrolluara nga Hamasi, duke krijuar zona të ndaluara dhe duke kufizuar lëvizjen e banorëve palestinezë.

“Aktualisht po e shtrydhim Hamasin. Tani kontrollojmë 60% të territorit në Rripin e Gazës. Direktiva ime është të kalojmë në 70%”, deklaroi Netanyahu.

Sipas raportimeve, ditët e fundit edhe milici të armatosura të mbështetura nga Izraeli kanë marrë rol aktiv në zbrazjen e zonave pranë vijës së armëpushimit, duke u kërkuar banorëve të largohen nga shtëpitë dhe strehimoret e tyre.

Nga ana tjetër, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se objektivi final i qeverisë është largimi i një pjese të madhe të palestinezëve nga Gaza përmes asaj që ai e quajti “migrim vullnetar”.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të qeverisë izraelite, duke paralajmëruar se strategjia e ndjekur mund të interpretohet si përpjekje për spastrim etnik përmes krijimit të kushteve të papërballueshme të jetesës në Gaza.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme