Nga nesër nis “pushimi olimpik”, Milani dhe Interi largohen përkohësisht nga “San Siro”

Pavarësisht ndeshjes në Ligën e Kampionëve kundër Arsenalit vetëm tre ditë më parë, Interi do të rikthehet në fushë sonte për t’u përballur me Pizën në një ndeshje vendimtare në Serie A për të siguruar pikë kundër rivalëve të kreut përpara ndeshjeve të mëdha të kësaj fundjave, Juventus-Napoli dhe Roma-Milan.
Shumë veta kanë pyetur veten pse zikaltërit duhet të luajnë dy ndeshje kaq afër njëra-tjetrës. Përgjigja është shumë e thjeshtë: ndeshja e sotme do të jetë e fundit që luhet në “San Siro” para pushimit olimpik.
Duke filluar nga nesër, përgatitjet për ngjarjen e madhe më 6 shkurt, ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milan-Cortina 2026, do të fillojnë në stadiumin “San Siro”. Kështu, dy ekipet milaneze do të detyrohen të shkojnë në një “eksod” që mund të zgjasë deri në një muaj.
Interi do të luajë në Monza ndeshjen kundër Torinos më 4 shkurt, sfidë e vlefshme për Kupën e Italisë, ndërsa nuk është vendosur akoma se ku do të luhet ndeshja e kampionatit Milan-Como.
Ndeshja e sotme Inter-Pisa do të jetë e fundit përpara se stadiumi “t’i dorëzohet” Lojërave Olimpike Milano Cortina 2026, event që do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




