Ngec armëpushimi në Gaza, Bordi i Paqes kërkon ndërhyrjen e OKB-së për çarmatosjen e Hamasit

Organi ndërkombëtar i ngarkuar me mbikëqyrjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në Gaza pritet t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së me një kërkesë të qartë: rritjen e presionit ndaj grupimit militant Hamas për t’u çarmatosur. Sipas një raporti konfidencial të siguruar nga Associated Press, ky detaj shihet si nyja kryesore që mban peng procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
Raporti i hartuar nga Bordi i Paqes – një strukturë e ngritur nën administratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe e miratuar nga OKB në nëntor – pritet të diskutohet këtë të enjte në Këshillin e Sigurimit. Dokumenti evidenton ngërçin e thellë në zbatimin e planit të paqes prej 20 pikash, i cili parasheh tërheqjen e trupave izraelite, një qeveri të re teknokratike palestineze, një forcë ndërkombëtare sigurie dhe rindërtimin e Gazës.
“Në këtë fazë, pengesa kryesore për zbatimin e plotë të armëpushimit mbetet refuzimi i Hamasit për të pranuar çmontimin e verifikuar, për tëhequr dorë nga kontrolli shtrëngues dhe për të lejuar një tranzicion të vërtetë civil në Gaza,” theksohet në raportin e Bordit.

Kushti “i panegociueshëm” për rindërtimin
Ish-i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme dhe kreu aktual i Bordit të Paqes, Nickolay Mladenov, ka pranuar hapur se armëpushimi, i cili hyri në fuqi në tetor, ka ngecur. Sipas tij, detyrimi i Hamasit për të dorëzuar arsenalin e tij ushtarak është “i panegociueshëm”.
Përpiluesit e raportit kërkojnë nga Këshilli i Sigurimit një qëndrim më të ashpër. Ata argumentojnë se dorëzimi i armëve është faktori i vetëm që zhbllokon çdo element tjetër të planit.
“Rindërtimi nuk mund të fillojë aty ku nuk janë dorëzuar armët,” theksohet në dokument, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit që të përsërisë vazhdimisht se çmontimi i armëve “nuk është thjesht një kërkesë, por thelbësore për të filluar rindërtimin, për një tërheqje të forcave izraelite dhe për të ndjekur një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze.”
Reagimi i Hamasit: Përpjekje për të “turbulluar ujërat”
Nga ana tjetër, Hamasi ka reaguar ashpër duke e hedhur poshtë dokumentin dhe duke e cilësuar atë si të mbushur me “gabime”. Në një deklaratë zyrtare, grupimi militant akuzoi autorët se po lirojnë Izraelin nga përgjegjësia për shkeljet e përditshme.
Grupimi theksoi se raporti injoron dështimin e Izraelit për të përmbushur angazhimet e fazës së parë, përfshirë kufizimet në pikat e kalimit dhe bllokimin e materialeve jetike për infrastrukturën.
“Miratimi në raport i kushteve të pushtimit në lidhje me çarmatimin është një përpjekje e dyshimtë për të turbulluar ujërat dhe për të prishur marrëveshjen e armëpushimit,” deklaroi Hamasi, duke lidhur çdo demilitarizim të mundshëm me tërheqjen e plotë të trupave izraelite.

Kriza humanitare dhe shkeljet në terren
Ndërsa palët shkëmbejnë akuza në tryezat diplomatike, situata në terren mbetet kritike. Raporti vëren se armëpushimi përballet me shkelje pothuajse të përditshme. “Disa prej tyre janë serioze, dhe pasojat e tyre njerëzore –civilë të vrarë, familje që jetojnëme frikë dhe pengesa të vazhdueshme për aksesin humanitar –nuk mund të minimizohen,” paralajmëron dokumenti.
Pavarësisht marrëveshjes, ushtria izraelite vazhdon të kryejë sulme ajrore dhe ka zgjeruar prezencën e saj, duke kontrolluar aktualisht rreth 60% të territorit të Gazës. Ndërkohë, për shumicën e 2 milionë banorëve të enklavës, kushtet mbeten të tmerrshme, të detyruar të mbijetojnë në kampe me tenda pa qasje në shërbimet më elementare jetësore.
/rtsha.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




