Ngërçi politik në Kosovë, Kushtetuesja: Kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të hapur brenda 30 ditësh

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur këtë premte (8 gusht) që Kuvendi të zgjedhë kryetarin e ri përmes votimit të hapur dhe se ky proces duhet të përmbyllet brenda 30 ditëve.
Gjithashtu në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vendosi që i njëjti emër i propozuar për kryetar kuvendi të mos votohet më shumë se 3 herë nëse nuk arrin të marrë votat e nevojshme.
“Të urdhërojë,, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata Kushtetuese vendosi gjithashtu se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në përputhje me vendimin e saj të 26 qershorit, duke shpallur të pavlefshme të gjitha seancat e zhvilluara nga 27 qershori deri më 26 korrik.
“Të konstatojë, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme; Të konstatojë njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Gjykata Kushtetuese.
Gjithashtu, të gjithë deputetët e zgjedhur janë të detyruar të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, në përputhje me ligjin.
“Të urdhërojë, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë”, thuhet në vendim.
Ky vendim vjen pas 54 përpjekjesh të dështuara për konstituimin e Kuvendit dhe pas skadimit të afatit 30-ditor të vendosur nga gjykata në qershor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




