Nikol, këngëtarja e vogël e çmimeve të mëdha

Këngëtarja e talentuar Nikol Çabeli, e cila tashmë ka pushtuar skenat e mëdha evropiane, duke përfaqësuar Shqipërinë në “Junior Eurovision Song Contest 2024” me këngën ‘Vallëzoj’ në Madrid të Spanjës, ka qenë e ftuara speciale në emisionin ‘Mes nesh’ në RTSH.
Përgjatë bashkëbisedimit me moderatoren Iva Shaba, Çabeli ka folur si për emocionet që ka ndjerë duke përfaqësuar vendin tonë në “Junior Eurovision Song Contest”, ashtu edhe për ëndrrat dhe planet e saj për të ardhmen.
Por ajo që ëndërron më shumë është që pas dy vitesh të marrë pjesë në eventin më të madh muzikor që kapërcen edhe kufijtë e Shqipërisë, siç është Festivali i Këngës që organizohet nga RTSH, ku të dalë fituese në mënyrë që të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizon.
“Kam pasur dhe vazhdoj të kem mbështetjen e RTSH-së. Ëndrra ime është që të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion”, tha ajo.
Çabeli, përgjatë intervistës, ka treguar se ajo përveç muzikës ndjek edhe pasione të tjera, që kanë të bëjnë me sportin, baletin, si dhe për gjuhët e huaja, duke nënvizuar se përgjatë kësaj periudhe po përgatit edhe disa këngë në gjuhë të ndryshme.
“Kam gjithnjë emocione kur këndoj. Kur u ktheva nga Spanja më pritën shumë mirë, jo vetëm familjarët e mi, por edhe shokët dhe shoqet. Ata u ndjenë krenarë për përfaqësimin e vendit nga ana ime”, tha Çabeli.
Lidhur me planet e saj për të ardhmen, ajo tregoi vetëm një pjesë të mozaikut, pasi, sipas saj, është mes një moshe ku nuk hyn as tek të vegjlit, por as tek të mëdhenjtë.
“Punoj në mënyrë individuale në shtëpi, pasi për shkak të moshës ende nuk jam gati për hapa të mëdhenj. Ndërkohë po mësoj këngë në gjuhë të ndryshme të botës. Tani isha e ftuar në ‘Sesion 31’ të Bojken Lakos ku këndova 5 këngë me bendin. Këngët do të publikohen së shpejti”, tha Çabeli.
Në emisionin ‘Mes nesh’ ajo ka zbuluar për herë të parë edhe një projekt të ri, të cilin shpreson ta realizojë së bashku me një këngëtare nga Portugalia, me të cilën është njohur përgjatë spektaklit “Junior Eurovision Song Contest”.
“Kemi menduar me vajzën që përfaqësoi Portugalinë që të bëjmë bashkë një këngë, e cila do të kompozohet nga vetë ajo”, tha Çabeli.
Ajo tregoi se aktiviteti i saj nuk ka të bëjë vetëm me muzikën, por ka edhe pasione të tjera, të cilat shërbejnë në formimin e saj.
“Pas shkollës merrem me volejboll, më pas në balet si dhe me pianon”, tha Çabeli.
Pas intervistës plot emocione të veçanta, Nikolës i është rezervuar edhe një takim surprizë me Nëndrejtoreshën e Përgjithshme të RTSH-së, Aurora Polo, një takim ky në të cilin është vënë theksi në mbështetjen që RTSH u bën talenteve të reja, të cilët gjithnjë e më shumë po përfaqësojnë në vlerat më të larta vendin tonë në skenat më të famshme të muzikës botërore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





