Nis sot magjia e Festivalit të 64-të të Këngës, 14 artistë ngjiten në skenë në natën e parë

Kulturë | 11 muaj më parë

Sot ngre siparin Festivali i 64-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, eventi më i rëndësishëm i muzikës së lehtë shqiptare, i cili këtë vit vjen nën moton “Neo Albania Future”, një vizion për të ardhmen e muzikës shqiptare.

Festivali zhvillohet nga data 17 deri më 20 dhjetor në Pallatin e Kongreseve dhe premton emocione, surpriza dhe performanca spektakolare gjatë katër netëve të tij. Në natën e parë do të ngjiten në skenë 14 artistë, të cilët do të prezantohen jo vetëm përmes interpretimit të këngëve, por edhe përmes performancave skenike.

Organizatorët kanë rezervuar gjithashtu të ftuar specialë, emrat e të cilëve do të mbeten surprizë për publikun deri në nisjen e natës së parë, ndërsa përgatitjet janë në fazën finale për t’i dhënë festivalit magjinë që e karakterizon.

Në të katër netët e festivalit, publiku do të ketë mundësi të shijojë emra të njohur të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare. Skenaristi i festivalit, Koloreto Cukali, ka zbuluar disa nga momentet më të veçanta të këtij edicioni.

“Rikthejmë në skenë Shkodra Elektronike, një vit pas performancës që na bëri krenarë në Eurovizion. Do të kemi rikthimin e Bleona Qeretit me një performancë ekstravagante, në 30-vjetorin e këngës së saj të parë ‘Lërmëni’, e cila do të interpretohet sërish në të njëjtën skenë. Pjesë e festivalit do të jetë edhe tenori Ramë Lahaj, si dhe disa të ftuar të tjerë që do të mbeten surprizë,” u shpreh Cukali.

Prezantuese e Festivalit të 64-të do të jenë këngëtarja Arilena Ara dhe aktori i humorit Salsano Rrapi, të cilët do të drejtojnë spektaklin gjatë katër netëve ku do të garojnë gjithsej 28 këngëtarë me këngët e tyre.

Drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili, ka zbuluar gjithashtu të ftuarin special të natës finale. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo konfirmoi se këngëtari estonez Tommy Cash, përfaqësues i Estonisë në Eurovizionin e këtij viti me këngën “Espresso Macchiato”, do të performojë në natën e katërt të festivalit.

Producentja e festivalit, Belioza Çoku, theksoi se tema “Neo Albania Future” synon të sjellë një qasje moderne dhe vizionare për muzikën shqiptare, ndërsa dirigjenti Alfred Kaçinari vlerësoi si risi kryesore përfshirjen e këngëtarëve të rinj, që përbëjnë edhe fokusin kryesor të këtij edicioni.

Struktura e festivalit parashikon që në dy netët e para të prezantohen këngët për publikun dhe jurinë, nata e tretë t’i dedikohet nostalgjisë dhe historisë së Festivalit të Këngës, ndërsa nata finale do të shpallë fituesin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.

Biletat për ndjekjen e festivalit nga afër janë në dispozicion dhe mund të blihen vetëm online përmes platformës zyrtare www.myticket.al, ndërsa Festivali i 64-të i Këngës do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e RTSH-së, duke synuar të bashkojë familjet shqiptare përpara ekranit “aty ku muzika bashkon brezat”.

Artistët pjesëmarrës në Festivalin e 64-të të Këngës:

  1. 2 Farm
  2. Alis
  3. Egzon Pireci
  4. Endri Kaçaçi
  5. Enxhi Nasufi
  6. Erand Sojli
  7. Erik Lloshi
  8. Evi Reçi
  9. Fifi & Tiri Gjoci
  10. Frensi
  11. Gerta Mahmutaj
  12. Ghiti
  13. Gresa Gjocera & Bledi Kaso
  14. Inis Neziri
  15. Kamela Islamaj
  16. Kimi
  17. Kleansa Susaj
  18. Lorenc Hasrama
  19. Luna Çausholli
  20. Malvina Likaj
  21. Rezarta Smaja
  22. Rigersa Loka
  23. Sara Kapo
  24. Savjana Vjerdha
  25. Sihana Haxhnikaj
  26. Sheila
  27. Threex
  28. Vedat Ademi

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme