Nisin në Londër festimet për 80-vjetorin e Ditës së Fitores ndaj Gjermanisë naziste

Europë | 1 vit më parë

Me një paradë madhështore ushtarake, që nisi nga sheshi i Parlamentit dhe përfundoi pranë Pallatit Buckingham, Britania e Madhe çeli të hënën siparin e festimeve katërditore për 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Mbreti Charles III përshëndeti rreth një mijë anëtarë të forcave të armatosura të vendit, të cilëve iu bashkuan edhe ushtarakë të SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë, si dhe 11 forca ukrainase.

Aktiviteti nisi me një lexim të fjalimit të famshëm të kryeministrit të ndjerë Winston Churchill, nga aktori Timothy Spall, i cili në 8 maj 1945 deklaroi se luftës në Europë i kishte ardhur fundi pas kapitullimit të Gjermanisë naziste. Spall ndërkohë ka luajtur rolin e ish-kryeministrit në filmin “Fjalimi i Mbretit”.

Parada kulmoi me manovrat e ekipit akrobatik të forcave ajrore “Shigjetat e Kuqe” dhe të 23 mjeteve ajrore ushtarake, të cilat u kundruan nga ballkoni i Pallatit nga monarku së bashku me bashkëshorten Mbretëreshën Camilla, motrën princeshë, të vëllanë, Princin Edward, të birin, Princin Willian dhe me bashkëshorten e tij Kate, si dhe fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme