Nisma për shkarkim, Presidenti reagon ndaj PD-së, thotë se nuk komenton sulmet politike

Politikë | 1 vit më parë

Pas nismës së Partisë Demokratike (PD) për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra, Kreu i Shtetit ka dhënë reagimin e tij të parë publik. Në një deklaratë të lëshuar sot, Presidenti thekson se nuk komenton “nismat politike të asnjerës palë,” duke e justifikuar këtë qëndrim me neutralitetin që i imponon funksioni i lartë kushtetues.

Presidenti shprehet se do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e tij, “i pa ndikuar në asnjë rrethanë nga sulmet për interesa politike, apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik.”

Në lidhje me procesin, Kreu i Shtetit thekson respektin e tij për institucionet e tjera kushtetuese dhe e pranon se “Procedura për shkarkimin… është instrument kushtetues i Parlamentit.” Ai shton se Parlamenti është i lirë dhe sovran ta ushtrojë këtë të drejtë sa herë që e gjykon të përligjur.

“Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë,” thuhet në deklaratë.

Megjithatë, Presidenti ka adresuar direkt pretendimet e Partisë Demokratike, duke theksuar se grupi parlamentar i PD-së “ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta.”

Në fund, ai i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të hetojë rreth këtyre pretendimeve “me profesionalizëm dhe transparencë të plotë,” duke e konsideruar këtë një detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut, dhe jo thjesht si obligim ndaj postit të Kreut të Shtetit.

Nisma e PD-së për shkarkimin, e publikuar gjatë ditës së sotme, pritet të kalojë së shpejti për shqyrtim në instancat e Kuvendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme