Një infermiere, kampione Europe

Evangjelia Veli është historia e artë e peshëngritjes shqiptare në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që është duke u zhvilluar në sallën olimpike “Feti Borova”. Dy medalje të arta dhe një të argjendtë dhe Veli ngre siparin e medaljeve për pjesën tjetër të delegacionit kuqezi në këtë Europian. Një ditë pas garës, teksa ndodhet e grumbulluar me pjesën tjetër të kombëtares shqiptare në një nga hotelet buzë Adriatikut, Veli tregon emocionet e saj për fitimin e këtyre medaljeve.
“Jam shumë e lumtur për këtë arritje, kemi punuar shumë, është djersa jonë. Po shpërblehem me këtë medalje, me këtë arritje”.
Por nëse dominoi në stilin e shkëputjes me 95 kilogram, në stilin e shtytjes, edhe pse ngriti 113 kilogram po aq sa ukrainesja Konotop, ishte e dyta. Madje në mënyrë të çuditshme në provën e tretë edhe kishte deklaruar 115 kilogram më pas gjithçka ndryshoi. Veli tregon.
“Ato ishin vendimet e trajnerit tim bashkë me presidentin e federatës, që donin të siguronin medaljen e artë në dygarësh. Kështu më ulën provën e tretë në shtytje që të siguronin medaljen e artë në dygarësh. Aty unë nuk ndërhyj, puna ime është që të ngre shtangën dhe jo të marr vendim për provat që do kalojmë”.
E sa e bindur ishte ajo dhe trajneri i saj për këto medalje?
“Kisha besim tek vetja. Ky Europian ka qënë shumë i fortë, edhe nga rezultatet, ata që kuptojnë nga peshëngritja, mund të shikojnë se janë rezultate botërore, jo rezultate europiani. Ishte një garë e vështirë, megjithatë unë isha e përgatitur”.
Shumë emocione, shumë lot pas garës. Veli sigurisht ka dhe dedikimet e saj për këto rezultate.
“Është një sukses që dua t’ia jap vetes time për punën që kam bërë, trajnerit, familjes time, njerëzve që më kanë mbështetur dhe të gjithë bashkë kemi arritur deri këtu”.
Por Veli ka dhe profesionin e saj, që është infermiere. Pra një infermiere Kampione Europe. Veli shpjegon lidhjen e shtangës me profesionin e infermieres.
“Është e vështirë, është e vështirë të ngreshë pacientë se sa të ngreshë hekurat(qesh). Shtanga është hekur e kontrollon, njeriun nuk e kontrollon dot, është shumë e vështirë”.
Tanimë përpara janë Lojërat Mesdhetare dhe Kampionati Botëror. Veli ka objektivat e saj.
“Duhet të konkuroj në peshën 59kg. Do të shkojmë të bëjmë më të mirën, do konkurojmë me sportistet që janë 59-she. Ajo që është më e rëndësishmja është Kampionati Botëror, sepse është kampionati i parë për kualifikim për në Paris. Aty duhet të jemë më e përqëndruar pasi dhe kalimi im në peshën 59kg do jetë përfundimtarë, do jemë më e përgatitur”
Medaljet e Tiranës edhe në aktivitetet e tjera ndërkombëtare?
“Nuk do të deklaroj gjëra të tilla, do sjell medalje, njërën apo tjetrën. Do të bëj më të mirën. Më e mira e imja mund të sjellë medalje”.
Që nga kryeministri Rama, tek ministrja e Arsimit dhe Sportit, Kushi, e kryebashkiaku Veliaj kanë uruar Evangjelia Veli, e cila gjen rasti t’i falënderojë
“Do kisha shumë qejf që të ishin afër meje dje. E kuptoj që kanë shumë gjëra për të bërë, janë shumë të angazhuar me gjëra të tjera, i falenderoj nga zemra për mbështetjen. I falenderoj për urimet”.
Që nga e marta me Caljen dhe Qerimajn në peshën 73 kilogram ka shanse dhe për të tjera medalje. E Veli është e bindur për këtë.
“Uroj suksese për të gjithë, të dalin sa më mirë”.
Kampionati Europian i peshëngritjes për të rritur përfundon më 5 qershor dhe starti me medalje i Evangjelia Velit do të jetë shtysë dhe për të tjerët pjesëtarë të delegacionit kuqezi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




