Një në katër mjete nuk kalojnë testimin teknik. Ndotja, mangësitë funksionale dhe sistemi i frenimit ndër arsyet kryesore

Aktualitet | 1 vit më parë

Gjatë periudhës janar–korrik 2025 janë testuar 167.046 mjete në qendrat e kontrollit teknik në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), 24,3% e këtyre mjeteve nuk e kanë kaluar testimin teknik, duke sinjalizuar një përqindje të lartë dështimi, që duhet të ngrejë shqetësim për autoritetet dhe drejtuesit e mjeteve.

Nga të gjitha mjetet e testuara, 86,2% janë automjete me kapacitet 4+1 deri në 8+1 vende, ndërsa 35,6% e testimeve janë kryer në DRSHTRR Tiranë, që mbetet qendra më aktive për këtë shërbim.

Arsyeja kryesore të moskalimit në testim lidhet me sistemin e shkarkimit të gazrave (37,8%), ndjekur nga mangësitë vizuale dhe funksionale (34,9%), sistemi i frenimit (14,8%) dhe sistemi i drejtimit (13%). Këto shifra tregojnë probleme serioze me mirëmbajtjen e mjeteve dhe ndikimin e tyre në ndotjen e mjedisit dhe në sigurinë rrugore.

Një tjetër indikator shqetësues është fakti se 4.577 mjete me moshë mesatare 22 vite janë çregjistruar përfundimisht, një hap i domosdoshëm për të nxjerrë jashtë qarkullimit makinat që paraqesin rrezik.

DPSHTRR-ja kujton se ndërhyrjet në odometër dhe ndryshimet konstruktive janë rreptësisht të ndaluara, ndërsa rezervimi i takimit për kontroll teknik mund të bëhet përmes platformës e-Albania.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme