Një prej kishave më të bukura në Ballkan, nis rikontruksioni i Mitropolisë së Korçës

Kulturë | 9 muaj më parë

Katedralja “Burimi Jetëdhënës”, për shekuj me radhë ka qenë simboli i besimit ortodoks në qytet ndërsa puna që po kryhet, synon rikthimin e saj në identitet. E gjithë kjo, falë dashamirësisë së qytetarëve të cilët po kontribuojnë financiarisht për kryerjen e punimeve në godinë të cilat kanë nisur që prej vitit 2019 dhe sigurisht edhe kontributit të Mitropolisë së shenjtë. Rikonstruksioni do të ruajë origjinalitetin pasi ekzistojnë edhe projektet e dikurshme me të gjitha elementët e detajuar.

“Pjesa e brendshme e projektit, pothuajse është përfunduar. Punimet tashmë janë fokusuar në pjesën e jashtme, është për t’u prishur një pjesë e ballinës që ishte shtuar nga ana e muzeut dhe në pjesën e pasme ka një shtesë që dhe ajo nuk është një gjë e madhe, por është lënë për momentin për efekt të rrethimit të objektit për të vazhduar punimet lirshëm”, deklaroi At Mihal Sanellari, Kryesekretar i Mitropolisë.

Mitropolia është një ndër kishat më të vjetra në vend, e ndërtuar në shekullin e 18 dhe ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm pasi rreth saj, u ndërtua qyteti i Korçës.

“Hovi i Korçës në vitet 1700 kur fillon dhe ndryshon fizionomia e këtij qyteti, kur merr pamjen e një qyteti real, modern për kohën, zemra ishte pikërisht kjo zona këtu Mitropolia, Kishat, shkollat e Mitropolisë që ishin rreth e rrotull të cilat ndërtuan breza dhe ata më pas ndërtuan këtë Korçë që ne njohim sot, Korça e kulturës, vlerave dhe arsimit”, shtoi At Mihal Sanellari.

Kjo kishë ishte aq madhështore sa konsiderohej nga më të bukurat në Ballkan dhe ishte pikërisht më e madhja dhe më e bukura Kishë Orthodokse në Shqipëri, me një sipërfaqe prej 1240 m2 dhe 30 m e lartë. Me rikonstruksionin e saj, Korçës do t’i kthehet një pjesë e identitetit të munguar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme