Një vit pa Martin Canin, përkujtimore pranë shkollës “Fan Noli”. Nëna apel institucioneve: Heshtja vret

Aktualitet | 12 muaj më parë

Kjo e martë, 18 nëntor, shënon një vit nga ngjarja tragjike në të cilën humbi jetën adoleshenti Martin Cani, i vrarë me thikë nga një bashkëmoshatar i tij pranë shkollës “Fan Noli”.

Në përvjetorin e kësaj dite të rëndë, nëna e Martinit ka bërë një thirrje të fortë për mbrojtjen e fëmijëve dhe reagim të institucioneve që situata të tilla të mos përsëriten më. Ajo kërkoi nga institucionet shtetërore dhe psikologët të marrin masa konkrete për parandalimin e rasteve të tilla, në mënyrë që asnjë fëmijë tjetër të mos përfundojë me fatin e Martinit.

“Falënderoj të gjithë shqiptarët që na kanë mbështetur në kohët më të vështira. Sot u mbush një vit që unë nuk jetoj normal se gjendja ime është rënduar që me ikjen e Martinit. Bëj thirrje të mbrohen fëmijët, të mos heshtin institucionet. Martini iku në mënyrën më mizore nga kjo botë, nuk e meritonte dhe nga kush? Nga një bashkëmoshatari i tij që në vend të ishin shokë i mori jetën. Nuk duhet të heshtim, heshtja vret. Ju lutem institucioneve, psikologëve dhe të gjithë stafit që përfshihet me fëmijët të marrë masat dhe të mos neglizhojnë situata e tilla, që fëmijë të tjerë të mos kenë fatin e fëmijës tim”, tha nëna e Martinit.

Sipas familjes, pretenca është dhënë një ditë më parë dhe aktualisht po pritet vendimi i gjykatës.

“Do të jem këtu dhe do ta apelojmë nëse e shohim të nevojshme,” theksoi e ëma.

Prindër, bashkëmoshatarë dhe të afërm të Martinit vendosën sot një përkujtimore pranë shkollës “Fan Noli”. Familja kishte kërkuar vendosjen e një stoli përkujtimor brenda ambienteve të shkollës, por kërkesa është refuzuar nga institucioni arsimor.

Nëna e Martini ishte e revoltuar edhe me shkollën dhe mësuesen kujdestare, e cila ka refuzuar, sipas saj, të jap edhe një mesazh ngushëllimi.

“Ka humbur sensi njerëzor. Është tmerrshme që të mos dali mësuesja kujdestare të thoshte dy fjalë për Martinin, se ai nuk ishte nga ato fëmijë që nuk kishe fjalë për të thënë. Tani nuk vjen të përballet me mua. Nuk kanë bërë asgjë për Martinin, as një mesazh ngushëllimi”, tha ajo.

Një ditë më parë, Prokuroria e Tiranës publikoi pretencën, duke kërkuar 25 vite burgim për të miturin Mario Përlleshajn, i akuzuar për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave”. Ngjarja e rëndë ndodhi në nëntor 2024, vetëm pak metra larg shkollës “Fan Noli”. Përleshja mes dy adoleshentëve nisi sapo ata dolën nga shkolla dhe përfundoi me vrasjen e Martin Canit, ndërsa vetë Përlleshaj mbeti i plagosur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme